Ndërlidhjet

Aktakuzë për terrorizëm ndaj katër të dyshuarve për sulmin kundër KQZ-së


Pallati i Drejtësisë i Kosovës në Prishtinë.
Pallati i Drejtësisë i Kosovës në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër katër të personave me inicialet M.M, A.V, D.P dhe M.V., të cilët dyshohet se kanë kryer vepër terroriste.

Ata akuzohen për sulm ndaj zyrës komunale të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit të kaluar.

Prokuroria i akuzon ata për kryerjen e një sulmi me granata dore dhe shok-bomba në zyrat e KQZ-së “qëllim që të destabilizojnë, ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

“Si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë ndaj katër të dyshuarve.

Millun Millenkoviq dhe Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestuan në fillim të këtij viti mbi dyshimet për pjesëmarrje në sulmin ndaj KQZ-së.

Pantiq u arrestua në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar si i dyshuari kryesor për një sulm ndaj zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës në pjesën veriore.

Arrestimi tij prodhoi tensione në pjesën veriore. Qytetarët atje vendosën barrikada në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat u hoqën pas disa javësh, por vetëm kur gjykata ia zëvendësoi Pantiqit, masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Më 14 qershor, Gjykata Themelore e Prishtinës ia shqiptoi masën prej një muaji paraburgim Millun Millenkoviqit, një ditë pasi ai ishte arrestuar në Mitrovicë të Veriut.

Avokati i tij Nebojsha Vllajiq kishte thënë për Radion Evropa e Lirë asokohe se Millenkoviqi akuzohej për tri vepra penale: terrorizëm, ndryshimin e rendit kushtetues përmes dhunës dhe rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG