Ndërlidhjet

Nga sëmundjet ngjitëse mbi 60 të vdekur brenda një viti


Ilustrim
Ilustrim

Nga sëmundjet ngjitëse në Kosovë, gjatë vitit 2016, sipas Entit të Statistikave janë shënuar 64 raste të vdekjeve.

Ndryshe gjatë një viti, sipas të dhënave aktuale, infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë persona. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i të prekurve nga sëmundjet ngjitëse, është rreth 6 mijë raste për 100 mijë banorëve. Këto shifra i ka dhënë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Sali Ahmeti, infektolog, tha për Radion Evropa e Lirë se rastet që përfundojnë me fatalitet, zakonisht pranohen në faza të avancuara të sëmundjes nga institucionet shëndetësore nga e gjithë Kosova.

Ne si sëmundje infektive i marrim rastet më të rënda nga gjithë Kosova dhe pa diskutim rastet me komplikime vijnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përkatësisht në Klinikën Infektive”.

Këto janë me rrezikshmëri të lartë për jetën, dhe përqindja e vdekshmërisë bazuar në rastet e Klinikës, rezulton të jetë më e lartë në raport me numrin e sëmundjeve infektive”, thotë Ahmeti.

Sipas tij, rrezikshmëria e pacientëve bëhet edhe më e madhe kur ata nuk gjejnë shërim në klinikat rajonale dhe në fund drejtohen për në QKUK.

Frekuenca e pacientëve është relative, pasi varet nga sezoni i shpërthimeve epidemike. Por, numri i rasteve që frekuentojnë Klinikën është rreth 150 pacientë në ditë, derisa hospitalizimi, bëhet për rreth 15 veta në ditë. Sa u përket barnave, për pjesën më të madhe të sëmundjeve i posedojmë, por ka periudha kur ka mungesë të tyre”, thekson Ahmeti.

Ndërkohë, Lul Raka nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se numri i vdekjeve si dhe i të prekurve me sëmundje ngjitëse, nuk është real, pasi shumë nga to nuk raportohen.

Fenomeni i sëmundjeve ngjitëse në Kosovë është një prej fushave prioritare në shëndetësinë e Kosovës, pasi ka një shkallë të konsiderueshëm të vdekjeve që është më e lartë sesa që raportohet, qoftë tek ne apo edhe në Entin e Statistikave të Kosovës”, thotë Raka.

Fenomeni i sëmundjeve ngjitëse do ta përcjellë edhe një kohë të gjatë shëndetësinë kosovare, por me koordinimin e akterëve kryesor si, Ministria e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, spitalet rajonale dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, do të jetë më e menaxhuar dhe gama e problemit do të jetë më e ulët, e që është edhe synimi ynë", thekson Raka.

Sëmundjet ngjitëse, përveç përhapjes nga njeriu në njeri, përhapen edhe nga ndotja e ujit dhe kafshët e infektuara, kryesisht brejtësit, të cilat kontaminojnë ushqimin dhe ujin e pijshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG