Ndërlidhjet

Nga Hoteli Grand në “mini Grand” 


Hoteli i madh me probleme të shumta
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Privatizimi i ish-ndërmarrjeve publike e shoqërore nuk ka rezultuar me ringjallje dhe “lulëzim” biznesi për shumë prej tyre. Hoteli Grand, në qendër të Prishtinës, është një nga ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, të cilin, privatizimi vlerësohet se e ka degraduar.

Në vitet e 70-ta, Hoteli Grand njihej si një nga hotelet më të mëdha në ish-Jugosllavi, por tani ai nuk është duke funksionuar, qoftë për kah gastronomia apo edhe akomodimi, gjë për të cilën ishte ndërtuar.

Hoteli Grand ishte shitur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në valën e tetë të privatizimit përmes metodës së Sppin-off-it Special, (që nënkupton mosndërrimin e destinimit) në vitin 2006 në një vlerë prej mbi 8 milionë euro. Blerësi ishte zotuar të bënte investime në vlerë prej mbi 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë.

Por, me kalimin e kohës u pa se këto zotime nuk ishin përmbushur.

Një gjendje e tillë ndikoi që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pas shumë proceseve gjyqësore, në vitin 2012, të tërheqë aksionet në ndërmarrjen e re Grand Hotel dhe ta kthejë këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.

Yll Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me këtë veprim ligjor të AKP-së kanë përfunduar me vendime gjyqësore përfundimtare në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sipas tij, Hoteli Grand tani është i gatshëm për t'u ofruar për privatizim, qoftë edhe përmes Ligjit për investime strategjike.

“AKP po koordinohet me Qeverinë e Kosovës në gjetjen e investitorëve relevantë nga fusha e hotelerisë në privatizimin e Hotelit Grand, aset ky i një rëndësie të veçantë. Bordi i Drejtorëve i AKP-së do ta trajtojë me kujdes rëndësinë e këtij aseti për ekonominë e Kosovës dhe do të marrë vendim për hapat e ardhshëm, për çka opinioni dhe mediat do të njoftohen me kohë nga ana e Agjencisë”, tha Kaloshi.

Grand Hotel, sipas AKP-së, në vitin 2012 ishte trashëguar nga ish-blerësi në kushte jo të mira infrastrukturore dhe financiare.

Por, ky hotel, krahasuar me të kaluarën është pothuajse jashtë veprimtarisë për të cilën ishte destinuar në kohën kur u ndërtua 40 vjet më parë, në vitin 1978.

Aktualisht, në hapësirat e Hotelit Grand operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediale, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, aparate bankare, hapësira reklamuese, lojëra të fatit e shërbime medicinale.

Nga rreth 800 punëtorë sa numëronte Hoteli Grand në fillim të veprimtarisë së tij, aktualisht ka vetëm 80 punëtorë.

Drejtori i hotelit, Rrahim Fazliu ,i cili kishte marrë udhëheqjen në vitin 2012, tregon se Grand Hotelin në atë kohë e kishte gjetur në një gjendje jo të mirë dhe jashtë funksionit.

Ai tregon se filluan të bëhen disa renovime në objekt duke filluar nga dhomat, korridoret, lokalet e sallat e konferencave, të cilat sipas tij, ishin në një gjendje të degraduar.

Dhomë në Grand Hotel
Dhomë në Grand Hotel

“Nga një Grand Hotel kemi arritur të bëjmë tani një mini Grand. Nga 353 dhoma sa ka Hotel Grand kemi arritur t'i bëjmë funksionale 150 prej tyre”, thotë ai.

Derisa në kohën e ish-Jugosllavisë në Grand Hotel ishin akomoduar njerëz të shumtë të politikës, shkencës ekonomisë e artit, në vitin 2012 sfida më e madhe ishte ardhja e mysafirëve, pasi askush më nuk e shihte Grandin si vend ku mund të akomodoheshin.

“Ka qenë një sfidë e madhe për mysafirin e parë që të vjen të akomodohet në Grand në atë kohë (2012). Kisha një bisedë me përgjegjësit këtu, ku e kishim vetëm një mysafir, ata më thonë se si ke ndezur kaldajën për një mysafir. Por, ishte qëllimi që të bëjmë Grandin funksional dhe njerëzit të vijnë në këtë hotel. Kështu filluan pastaj edhe organizimet tjera si dasmat, mbrëmjet muzikore, maturantët këtu festonin maturën. Në këtë mënyrë filluam të krijojmë të ardhura kishim një periudhë më të mirë”, tregon Fazliu.

Por, mysafirët të cilët kërkojnë të akomodohen në Grand Hotel, tregon Fazliu, vazhdojnë të jenë në numër shumë të vogël krahasuar me kapacitetin që ka.

Recepsioni në Grand Hotel
Recepsioni në Grand Hotel

Në muaj, thotë ai nuk bëhen më shumë se 200 akomodime.

Hotel Grand aktualisht, thotë Fazliu, ka nevojë për investime.

Ai kërkon që mos t’i ndërrohet arkitektura objektit, ashtu siç ishte filluar të bëhet nga blerësi i atëhershëm.

“Ai që e merr Grandin duhet të bëjë jo investim të madh, por një investim që mund t'i kthehen yjet. Grandi e ka emrin jo vetëm në Kosovë, por në ish-Jugosllavi, duhet vetëm një investim real. Arkitektura nuk duhet t'i ndërrohet Grandit. Grandi meriton një pamje ashtu siç ka qenë në vitin 1978”, thotë Fazliu.

Në anën tjetër, për ish-drejtorin e Hotel Grandit, Zekë Çeku, për rimëkëmbjen e këtij objekti, kompetentët duhet të kenë qasje të drejtë dhe profesionale.

“Grandi përkundër të gjitha episodeve të pakëndshëm që kanë ndodhur, tani me Ligjin për investime strategjike është një mundësi e mirë të realizohet, por gjithsesi duhet të ketë kushte që të mos përsëriten të gjitha paqartësitë, manipulimet, sjelljet jashtë rregullave dhe ligjeve. Grandi ka një pozitë të jashtëzakonshme dhe mund t'i kthehet nami që ka pasur”, thotë Çeku.

Grand Hotel ishte inauguruar më 25 prill të vitit 1978. Ai ka një sipërfaqe nga përafërsisht 32.000 m2. Hoteli ka 202 dhoma me një shtrat, 142 dhoma me dy shtretër, 9 dhoma me tre shtretër, 9 apartamente dhe 2 rezidenca.

Hoteli është i pajisur me objekte tjera: restaurant, tavernë, kafe bar, bar i natës si dhe salla për konferenca.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG