Ndërlidhjet

Nënsekretarja amerikane e Shtetit takohet me Vuçiqin në Beograd


Pamje nga takimi i përfaqësuesve të Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Beograd, 15 maj 2024.
Pamje nga takimi i përfaqësuesve të Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Beograd, 15 maj 2024.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje dhe Diplomaci Publike, Liz Allen, u takua të mërkurën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin bisedoi për një sërë çështjesh, përfshirë për Kosovën, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH)

DASH tha se ata biseduan për “çështjet globale” dhe për përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkim Evropian, përfshirë përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Allen nënvizoi rëndësinë e përparimit të vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëveshjeve me Kosovën përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në njoftim.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

BE-ja ka thënë se, megjithëse marrëveshjet janë ligjërisht të detyrueshme, palët nuk janë duke i zbatuar ato.

Në lidhje me planin 6 miliardë eurosh që iu referua Allen, BE-ja ka thënë se për Kosovën dhe Serbinë, parakusht për të përfituar pagesa nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Presidenti serb Vuçiq, ndërkohë, gjatë takimit i ka kërkuar Allenit që SHBA-ja ta rrisë angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Unë theksova presionet me të cilat përballet Serbia dhe serbët dhe kërkova nga SHBA që të rrisë angazhimin dhe ta përdorë ndikimin e saj për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të krijuar parakushte për bashkëpunim të sinqertë dhe përparim konkret”, shkroi Vuçiq në Instagram më 15 maj.

SHBA-ja e ka mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë dhe u ka bërë thirrje palëve vazhdimisht t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në të.

Ndërkohë, sipas njoftimit, Allen e nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm “për ta luftuar kërcënimin ndaj stabilitetit evropian dhe rajonal, siç është agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe përpjekjet e Kremlinit për të përhapur dezinformata”.

Serbia, megjithëse kandidate për anëtarësim në BE, nuk e ka përshtatur politikën e vet të jashtme me atë të Brukselit, duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje në shkurt 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG