Pas refuzimit që i bëri Greqia propozimit “Republika e Maqedonisë së Ilidenit”, si opsion për zgjidhjen e kontestit të emrit, më 24 dhe 25 maj në Njork do të zhvillimen bisedime të reja mes ministrave të Punëve të Jashtme të dy vendeve, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov, në prani të ndërmjetësit të OKB-së, Matthew Nimetz.
Lajmin e ka bërë të ditura Ministria e Jashtme në Shkup ndërsa paraprakisht një gjë e tillë ishte kumtuar edhe nga pala greke, e të cilin e kishte kumtuar gazeta “To Vima”.
“Ky takim është i një rëndësie të veçantë për rrjedhën e bisedimeve. Ndoshta edhe shansi i fundit për përparimin pas dështimit të emrit ‘Maqedonia e Ilindenit’ dhe kthimin në tryezë të pesë emrave fillestar që ishin paraqitur nga ndërmjetësi Nimetz. Gjithsesi,si variante të mundshme mbeten emrat ‘Maqedonia e Re’ dhe ‘Maqedonia e Epërme’, dhe me siguri se bisedimet do të zhvillohet rreth këtyre skenarëve të mundshme”, ka shkruar gazeta greke.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras u distancua nga propozimi “Maqedonia e Ilindenit”, pasi ky emër ishte kundërshtuar nga nga të gjitha partitë në Greqi, me arsyetimin se paraqet vazhdimësi të tendencave irredentiste të Maqedonisë
“Është për t’u përshëndetur fakti se pala tjetër në Shkup ka pranuar se nuk mund të ketë zgjidhje ‘pa erga omnes’, për të gjitha përdorimet. Megjithatë, ne i inkurajojmë fqinjët tanë, të vazhdojmë të punojmë së bashku që të gjejmë zgjidhje të përbashkët me përcaktim gjeografik ose kohor, siç është propozuar nga ana e negociuesit Matthew Nimetz”, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeministrit grek Tsipras.
Nga Qeveria e Maqedonisë kanë reaguar duke thënë se qëndrojnë pas propozimit të ri, si zgjidhje e mundshme dhe pranueshme nga opinioni i gjerë përfshirë edhe bashkësitë etnike.
Por, reagime në opinion ka pasur edhe për shkak të emrit në shqip “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, të cilën për herë të parë e kumtoi kryeministri Zaev.
Por, njohësit e çështjeve gjuhësore, akademikë, profesorë e intelektualë të ndryshëm kanë thënë se emri “Ilinditase” nuk ka asnjë kuptim në shqip dhe si i tillë paraqet vetëm se bastardim të gjuhës shqipe. Ata vlerësojnë se emri “Republika Ilindenska Maqedonija” në shqip duhet të jetë “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” apo “Republika Ilindenase e Maqedonisë”.