Ndërlidhjet

Në veri shfaqet një mesazh "Po vijmë për Krishtlindje"


Mitrovica e Veriut.
Mitrovica e Veriut.

Në katër komunat e veriut të Kosovës të martën janë shfaqur postera me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin "Po vijmë për Krishtlindje".

Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se, pas konsultimit me prokurorin, është vendosur që rasti të mos hetohet, pasi "nuk ka rast".

Krishtlindja ortodokse festohet më 7 janar.

Shfaqja në veri e postareve të tillë apo grafiteve me mesazhe që bëjnë thirrje për kthimin e Ushtrisë Serbe në Kosovë ose thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës, nuk është gjë e re.

Policia deri më tani i ka hetuar këto raste, por publiku nuk është njoftuar nëse dihet kush qëndron pas tyre.

Në fillim të qershorit u shfaq një pamflet me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me mesazhin: "Komandant suprem, po të presim".

Më herët, në shkurt, persona të panjohur lanë fletëpalosje në ndërtesat e Mitrovicës së Veriut me thirrje për rezistencë, të cilave u paraprinë edhe mbishkrimet grafiti si, "Kur ushtria të kthehet në Kosovë, Brigada e Veriut jeton".

Qeveria e Kosovës i shpalli "Brigada e Veriut", dhe "Mbrojtjen Civile", organizata terroriste në fund të qershorit 2023, për shkak të bindjes se pjesëtarët e saj morën pjesë në sulme të ndryshme ndaj Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, në Mitrovicën e Veriut u shfaq një grafit me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe mbishkrimin "Kur ushtria të kthehet në Kosovë".

Në atë sulm në veriun e Kosovës mori pjesë një grup i armatosur serbësh, ku u vra një polic kosovar.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, një ish-politikan nga Kosova, i cili ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

Përndryshe, Brigada e Veriut ka filluar të shkruajë grafitet me mesazhe si "Mos u shqetësoni, jemi këtu, po presim" dhe të ngjashme që nga nëntori 2022, kur pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, me iniciativën e Listës Serbe.

Veriu i Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit është përfshirë nga tensione të larta për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për ta shtrirë autoritetin në atë pjesën e vendit të banuar me shumicë serbe.

Disa nga masat e ndërmarra në këtë drejtim janë: mbyllja e institucioneve të Serbisë në Kosovë, heqja e dinarit serb dhe ndalimi i targave serbe për qytetet në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kritikuar disa nga këto veprime të qeverisë së Kosovës, duke argumentuar se hapat “të pakoordinuar dhe të njëanshëm” mund të rrisin tensionet në terren.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG