Për çdo ditë, Blerim Ibrahimi nga fshati Orllan i Podujevës, shkon në shkollë me barkë.
Ai dhe rreth 20 nxënës të tjerë zgjedhin të kalojnë liqenin e Batllavës për të shkuar në shkollë, pasi rruga është e gjatë dhe e paasfaltuar.
Barkat që përdorin, janë shumë të vjetra dhe rrezikojnë jetët e tyre. Megjithatë, ata nuk mungojnë në shkollë.
Blerim Ibrahimi që tani është në klasën e nëntë, thotë se këtë rrugë e bën që nga klasa e dytë.
“Vështirë e kam shumë. Verë-dimër kështu nëpër ujë. Kur ngrihet liqeni, duhet të shkojmë rrethit. Rruga është shumë e gjatë, i ka 8 kilometra. Nganjëherë i vetëm kaloj nëpër ujë”, thotë Blerim Ibrahimi.
“Në klasë të dytë kam mësuar të drejtoj anijen dhe kam dalë vetë”, tregon ai.
Prindërit e këtyre nxënësve dhe arsimtarët e shkollës thonë se udhëtimi për në shkollë përmes liqenit, ua rrezikon jetën këtyre fëmijëve.
Adem Munishi, një banor i fshatit apelon tek autoritete lokale dhe ato qendrore të ndërmarrin masa dhe të shtrojnë rrugën, ngase kalimi i liqenit paraqet rrezik të madh.
“Siç po e shihni edhe vetë, kjo është gjithherë, por problem është për fëmijë. Për fëmijët është problem, kur ka shi, këtu kur ka valë, atëherë është shumë rrezik për fëmijë...”
“Është thyer akulli, kanë rënë njerëzit, kanë rënë disa prej atyre familjeve, tre katër veta kanë rënë (në ujë), falë njerëzve të vullnetit të mirë i kanë nxjerrë, por edhe ata e kanë pasur jetën në rrezik. Unë kërkoj nga Komuna e Podujevës, nga Qeveria e Kosovës, sa është e mundshme edhe sa më shpejt të rregullohet kjo rrugë dhe të bëhet një zgjidhje për fëmijët tanë”, thekson Munishi.
Edhe Shaban Neziri, arsimtar i shkollës “Zahir Pajaziti” në fshatin Orllan thotë se lundrimi apo ecja mbi akull e nxënësve për të shkuar në shkollë paraqet një rrezik të përhershëm për fëmijët.
“Rreziku gjithmonë ekziston. Edhe nëse është koha e qetë, për arsye se ndonjëherë ka edhe frymë (erë) të madhe, edhe valë, por këta janë të detyruar për çdo ditë të udhëtojnë me barkë, mirëpo gjatë dimrit është rreziku shumë i madh, për arsye se këtu bëhet akull. Rruga rrethit është shumë larg, ndonjëherë është e zënë rruga, edhe është e pa ndërtuar. Por, janë të detyruar, për çdo ditë gjatë stinës së dimrit, të udhëtojnë në këmbë mbi akull. Kuptohet se është rreziku shumë i madh”, tha Neziri.
Ka një kohë të gjatë që është premtuar rregullimi i rrugës, në mënyrë që nxënësit të mund të shkojnë me autobus në shkollë, mirëpo ende nuk është ndërmarrë asgjë.
Në Komunën e Podujevës, zëdhënësi Nazmi Elezi thotë se këtë vit do të fillojë asfaltimi i kësaj rruge që do të zgjasë 2 vjet dhe do të kushtojë 455 mijë euro.
“Rruga Orllan-Ballaban, me një gjatësi prej 5 kilometrash përfundimisht do të asfaltohet. Janë kryer të gjitha procedurat e prokurimit dhe është përzgjedhur operatori i cili do t’i kryejë punimet në asfaltimin e asaj rruge”, thotë Elezi.
Nxënësit e shkollës “Zahir Pajaziti” në Orllan e kalojnë liqenin për të shkuar në shkollë edhe gjatë stinës së dimrit, kur uji aty ngrihet dhe detyrohen të ecin mbi akull.
Ata shpresojnë që ky të jetë viti i fundit që rrezikojnë jetën e tyre për të shkuar në shkollë.