Ndërlidhjet

Në sa shtete ka Kosova ambasada e konsullata?


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, 11 vjet më parë, Republika e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë për Punë të Jashtme, është njohur nga 116 shtete, edhe pse ky numër është kontestuar disa herë, për shkak të raportimeve për “çnjohje” nga disa shtete, si pasojë e lobimit të Serbisë.

Gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka hapur misione diplomatike dhe konsullore në 29 shtete. Në 26 nga këto shtete, Republika e Kosovës përfaqësohet me ambasada - në disa prej tyre edhe konsullata, në dy shtete me zyra të veçanta (Serbi dhe Egjipt) dhe në një shtet vetëm me mision konsullor (Danimarkë).

Në aspektin e shtrirjes gjeostrategjike, Kosova është e përqendruar me prani diplomatike në Evropë, ku ka përfaqësim diplomatik në 20 shtete (duke llogaritur edhe Turqinë). Tutje vjen Azia, ku Kosova është e pranishme në tri shtete, pa përfshirë Egjiptin, shtet i cili pos Azisë, me pjesën më të madhe të territorit, shtrihet në Afrikë. Shteti tjetër i vetëm afrikan në të cilin Kosova ka ambasadë, është Senegali.

Prani të theksuar Kosova ka edhe në Amerikën Veriore, me një ambasadë dhe disa misione konsullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadën në Kanada. Panamaja, e cila bën lidhjen mes Amerikës Veriore dhe Jugore, është shteti i vetëm amerikano-jugor, në të cilin aktualisht Kosova ka ambasadë. Po ashtu, Kosova ka ambasadën e saj edhe në shtet-kontinentin e Australisë.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se janë në proces të hapjes së misioneve diplomatike edhe në shtatë shtete: Tajlandë, Bangladesh, Malajzi, Katar, Gana, Peru dhe Kolumbi, shtete këto nga tri kontinente të ndryshme: Azi, Afrikë dhe Amerikë Jugore.

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm (Behgjet Pacolli), nuk e saktëson numrin e misioneve diplomatike - ambasadave, konsullatave dhe zyrave ndërlidhëse apo specifike.

Por, ai thotë se Kosova ka prani diplomatike në shtete të rëndësishme në të gjitha kontinentet dhe se është në proces të zgjerimit të shtrirjes diplomatike.

“Hiq vendet, të cilat kanë treguar një rezistencë ndaj afirmimit tonë ndërkombëtar, sikurse, për shembull: Rusia, Kina, në përgjithësisht kemi prezencë në të gjitha kontinentet dhe, përgjithësisht kemi prezencë dhe misione tona diplomatike konsullore, ambasada, në vende të rëndësishme. Sidomos, koncentrimi është në Evropë dhe SHBA. Por, së voni jemi duke shfaqur interes edhe në vendet e Amerikës Latine, në Azi, në Afrikë e veçmas me disa vende që kanë shprehur interes të vendosim bashkëpunimin fillestar”, shpjegon Haxholli.

Këshilltari politik i ministrit Behgjet Pacolli, thotë se MPJ-ja nuk duhet të kufizohet financiarisht, por të shfrytëzojë hapjen ndaj Kosovës nga disa shtete jo-njohëse.

“Ajo çfarë ne nuk guxojmë të lëshojmë, është mundësia që të vendosim bashkëpunim diplomatik bilateral, prezencë diplomatike, me ato vende, të cilat kanë ndikim në rajonet ku ato janë dhe që kanë treguar së voni, hapje ndaj Kosovës. Ne nuk duhet të kursehemi të hapim misione diplomatike në ato vende, sepse së pari tregojmë prezencën, së dyti tregojmë fuqi diplomatike dhe së treti, ato mund të kthehen në vende prej të cilave mund të shtrihet rrjeti në ato kontinente”, shton Haxholli.

Hap të rëndësishëm në këtë fushë, ai e konsideron hapjen e zyrës ndërlidhëse me Greqinë, në Prishtinë, duke shtuar se të njëjtën praktikë po përpiqen ta përsërisin edhe me shtetet tjera jo-njohëse të Bashkimit Evropian, si Spanja, Rumania e Sllovakia.

Por, përfaqësimin diplomatik të Kosovës në botë po e konsideron si jo të mjaftueshëm, ish -ambasadori dhe njohësi i diplomacisë, Sabri Kiçmari. Sipas tij, udhëheqësit e politikës së jashtme të Kosovës ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e prezencës diplomatike në vende dhe rajone të ndryshme me rëndësi strategjike.

“Kam përshtypjen se politika jonë, përkatësisht udhëheqësit e politikës sonë të jashtme, nuk e kanë kuptuar rëndësinë që ka përfaqësimi diplomatik, pra prezenca e shtetit tonë në vende të ndryshme dhe rajone të ndryshme. Për shembull, ka deficite serioze në prezencën tonë në Afrikë, në Amerikën Latine, në Azinë Jugore, në Azinë Jug-Lindore, praktikisht do të duhej që politika jonë e jashtme ta analizojë me kujdes këtë fakt dhe të marrë hapa seriozë për ta përmirësuar gjendjen e prezencës sonë diplomatike në të gjitha rajonet në të gjitha kontinentet”, vlerëson ish-diplomati Kiçmari.

Ai e ndan në dy faza diplomacinë e Kosovës, nga shpallja e pavarësisë deri në vitet 2013-2014 dhe fazën pas këtyre viteve.

Faza e parë, e cila, sipas Kiçmarit, është karakterizuar me entuziazëm, mbështetje institucionale vendore dhe simpati ndërkombëtare, ka rezultuar e suksesshme me pranim në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtare dhe fitoren ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Ndërsa faza e dytë, që përshin pesë-gjashtë vjetët e fundit, sipas tij, kur është dashur të etablohej sistemi diplomatik, janë bërë gabime të mëdha, ku në vend të kuadrove profesioniste janë angazhuar njerëz politikë e partiakë që, sipas Kiçmarit, kanë rezultuar me dështime si rastet e mosanëtarësimit në UNESCO dhe INTERPOL.

#Hashtag: Ku mbetën 1 milion eurot e lobimit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL?

Ku mbetën 1 milion eurot e lobimit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

E, megjithëse, e konsideron si kryesisht të mirë praninë diplomatike në Evropë, ish-diplomati kosovar e konsideron si të metë moskomunikimin me shtetet evropiane të ish-Bashkimit Sovjetik.

“Në Evropë, një e metë serioze është shkalla e komunikimit me vendet Evropës Lindore, me disa nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, pra edhe në këtë hapësirë gjeografike ka shumë nevojë për shtimin e prezencës diplomatike dhe aty ku nuk është e mundur, atëherë shtimin e komunikimit me to”, konsideron Kiçmari.

Pos kësaj, theks të veçantë ai i vë edhe komunikimit me pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur, de-jure, pavarësinë e Kosovës dhe investimit në kuadro që do të punonin për këto njohje dhe për t'iu kundërvënë politikës agresive serbe ndaj Kosovës.

“Ne kemi vështirësi serioze me disa shtete në procesin e njohjes de-jure, por pjesa dërmuese e shteteve të Evropës e njohin de-facto Kosovën, për arsye se ato e njohin pasaportën e Republikës së Kosovës, dhe po ashtu, fakti që po erdhën dhe vizituan apo dëshirojnë të realizojnë një vizitë në Kosovë ato janë të obliguar që në kufirin e Kosovës të ndeshen me faktin se duhet të legjitimohen nga përfaqësuesit shtetërorë të Republikës së Kosovës. Pra, kjo është situata de-facto, por nevojat janë serioze dhe shumë të mëdha që Ministria e Jashtme të fokusohet edhe në Evropën Lindore, gjë që nuk është bërë pothuajse fare”, thekson ai.

Vite më parë, kufizimet buxhetore kanë qenë një prej arsyeve për mos-hapjen e misioneve diplomatike të Kosovës në vende të ndryshme dhe për këtë ishte diskutuar edhe ideja e përfaqësimit të përbashkët me Shqipërinë.

Edhe Haxholli edhe Kiçmari e mbështesin këtë ide, për të cilën thonë se është praktikë e shumë vendeve dhe në përputhje me rregullat ndërkombëtare. Madje, ambasadat e përbashkëta të Kosovës me Shqipërinë në vende të caktuara, pos kursimeve financiare, ata i shohin edhe si përparësi në koordinimin e diplomatik ndërmjet dy vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG