Ndërlidhjet

Në Poloni, Modi bën thirrje për gjetjen e rrugës për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës


Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk (djathtas) dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, pas një konference për media në Varshavë, Poloni, më 22 gusht 2024.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk (djathtas) dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, pas një konference për media në Varshavë, Poloni, më 22 gusht 2024.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës ta gjejnë një rrugë drejt paqes “sa më shpejt”, para vizitës së tij historike në Kiev.

Modi qëndroi në Varshavë më 22 gusht për t’u takuar me zyrtarët polakë, para se të udhëtojë për në Ukrainë.

Vizita e tij në Kiev do të jetë e para nga një lider indian prej se këto dy vende vendosën marrëdhënie dypalëshe para më shumë se 30 vjetëve.

“India beson fuqishëm se asnjë problem nuk mund të zgjidhet në fushëbetejë”, tha Modi në kryeqytetin polak, duke shtuar se vendi i tij mbështet “dialogun dhe diplomacinë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit sa më shpejt”.

India u kritikua nga disa vende të Perëndimit, për shkak se Modi u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, muajin e kaluar në Moskë. Në ditën e vizitës së tij ndodhi një sulm vdekjeprurës raketor rus në një spital fëmijësh në Kiev, i cili u dënua dhe kritikua ashpër nga ndërkombëtarët.

Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara në veçanti nga vizita dyditore e Modit në Rusi, sepse e shohin Indinë si një shtyllë të rëndësishme në strategjinë e tyre për ta frenuar rritjen e Kinës.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha pas takimit me Modin se “historia ua ka mësuar vendeve tona rëndësinë e respektimit të rregullave, respektimit të kufijve [dhe] të integritetit territorial”.

Modi tha në një komunikatë të publikuar para se të nisej për në Poloni se “si miq dhe partnerë, ne shpresojmë për kthimin e paqes dhe stabilitetit në rajon sa më parë”.

Modi do të mbajë takim me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe do “t’i ndajë me të qëndrimet e tij për zgjidhjen paqësore të konfliktit në Ukrainë”, thuhet në njoftim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG