Maqedonia e Veriut, të dielën nis me regjistrimin e popullsisë, që do të zgjas deri më 30 shtator. Për realizimin e këtij operacioni statistikor, në terren do të dalin mbi 5,500 regjistrues, të cilët përveç popullatës, do të regjistrojnë edhe amvisëritë, banesat, por edhe karakteristikat e përcaktuara demografike, arsimore, ekonomike dhe sociale të popullsisë.
“Ne e bëjmë këtë për qytetarët, nuk e bëjmë për ne. Jo vetëm që shpresojmë, por jemi të sigurt se qytetarët do të na mbështesin. Ky operacion është në interes të qytetarëve dhe të askujt tjetër. Të dhënat që do të mbledhin janë për zhvillimin ekonomik të vendit, për të mirën e çdo qytetari të këtij vendi. Pa të dhënat e nevojshme statistikore nuk mund të planifikohet asgjë në shtet”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Apostol Simovski, Drejtor i Entit të Statistikës.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, është bërë në vitin 2002. Në vitin 2012 kishte nisur regjistrimi i popullsisë, por disa ditë para përfundimit kishte dështuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike, që kishin të bëjnë me metodologjinë, përkatësisht regjistrimin e diasporës.
Regjistrimi ishte paraparë të mbahej në prill, por u shty për në shtator, me kërkesë të opozitës, me arsyetimin e pandemisë së koronavirusit. Por, regjistrimi i diasporës kishte nisur në prill, pavarësisht vendimit për shtyrje dhe ka rrjedhur gjatë tërë këtyre muajve, për të vazhduar tani në shtator me regjistrimin brenda vendit. Deri më tani, janë regjistruar rreth 200 mijë shtetas që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Kryeministri Zoran Zaev, beson se operacioni do të përfundoj me sukses.
“Nëse paraqiten raste të infektimit, mund të bëhen zëvendësime të regjistruesve, që ky proces të mos ndërpritet, por të mund të vazhdojë me sukses deri në fund. Shumica e regjistruesve janë të vaksinuar dhe nuk besoj të kemi probleme në terren. Regjistrimi është shumë i rëndësishëm dhe ky proces duhet të përfundojë me sukses, pasi është në të mirën e vendit”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.
Mbi rëndësinë që ka regjistrimi i popullsisë, flet për Radion Evropa e Lirë, edhe Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë.
Çdo lloj planifikimi ekonomik që realizohet në shtet, qoftë për investimet, qoftë për hapjen e vendeve të reja të punës, qoftë për numrin e studentëve, për politikat arsimore e kështu me radhë, ka një bazë dhe ajo është regjistrimi i popullsisë, që duhet të nxjerrë numrin real të popullsisë, andaj edhe realizimi i këtij operacioni statistikor është mëse i domosdoshëm”, thotë Halili.
Sipas regjistrimit të vitit 2002, Maqedonia e Veriut ka rreth dy milionë banorë, prej tyre afër gjysmë milioni apo 25. 17 për qind janë shqiptarë.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur pas luftës së vitit 2001.
Me ndryshimet kushtetuese që ishin bërë në vitin 2002, të drejtat e shqiptarëve janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet. Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha të cilën e flasin mbi 20 për qind të popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe edhe pse nuk përmendet si e tillë. Në bazë të këtij formulimi kushtetues, shqiptarëve u sigurohen edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.
Pikërisht, ky formulim kushtetues ka politizuar edhe regjistrimin duke bërë që ai të mos mbahej për 20 vjet. Opozita maqedonase në vazhdimësi ka kontestuar numrin e shqiptarëve në shtet, se ai është më i ulët se 20 për qind, por të kundërtën pretendojnë shqiptarët.
Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike, thekson nevojën e ndryshimit të kushtetutës, të cilën e sheh si burim të krizave, përfshirë edhe këtë me regjistrimin e popullsisë.
“Në plan afatgjatë, për të pastruar njëherë e mirë këto dilema dhe që procesi i regjistrimit të mos shihet nga aspektet politike, juridike, etnike, por të ketë vetëm efekte statistikore, atëherë duhet të bëhen ndryshime kushtetuese në të cilin Maqedonia e Veriut do të definohet si shtet i maqedonasve, shqiptarëve dhe të tjerëve dhe të mos përmendet formulimi i shqiptarëve si popull prej 20 për qind”, thotë Halili.
Për realizimin e regjistrimit, qeveria do të shpenzojë 8.5 milion euro.
Facebook Forum