Procesi zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, në orën 19.00 ka përfunduar në 39 nga gjithsej 44 komuna, në të cilat të dielën qytetarë votuan për zgjedhjen e kryetarëve të rinj.
Në pesë komuna votimet do të vazhdojmë për më shumë se dy orë për shkak të ndërprerjes së procesit të votimit në orët e paradites për arsye teknike.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski tha se deri në orën 18.30 në votime kanë dalë 48.48 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Dalje më e lartë është regjistruar në komunën e Vevçanit, 81.2 për qind ndërsa më e ulët në Saraj të Shkupit, 28.12 për qind.
“Vlerësoj se të dielën kishim proces zgjedhor demokratik, të qetë dhe disa probleme të vogla të izoluara që nuk ndikuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Pra, zgjedhjet konsideroj se ishin të suksesshme”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Alekandar Dashtevski.
Për dallim nga raundi i parë më 17 tetor, tani janë regjistruar shumë më pak probleme me votimin përmes sistemit të ri biometrik.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në balotazh kanë pasur 1.353, 990 qytetarë, të cilët këtë të drejtë kanë mundur ta realizojnë në 2,481 vendvotime.
Në raundin e dytë u votua në 44 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.
LSDM-ja garoi në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.
Në rundin e parë, më 17 tetor janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, si dhe asambletë komunale të të gjitha 80 komunave.
Më së shumti komuna ka fituar opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, gjithsej 22. Lidhja Social-Demokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim.
Edhe në balotazh, beteja kryesore u zhvillua mes partive në pushtet dhe atyre në opozitës, mes kandidatëve të LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së në njërën anë dhe atyre të BDI-së me kandidatët e Lëvizjes BESA që po ashtu është në pushtet dhe opozitës shqiptare, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.
Beteja kryesore mes tyre u zhvillua në Tetovë mes Teuta Arifit të BDI-së dhe Bilall Kasamit të Lëvizjes BESA. Në Gostivar mes Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptarët dhe Nevzat Bejtës të BDI-së. Për Dibrën garuan Bekim Pocesta i Aleancës për Shqiptarët dhe Hekuran Duka nga BDI ndërsa në Strugë, Ramiz Merko i BDI-së dhe Idri Istrefi i Aleancës për Shqiptarët.
Partitë maqedonase garuan kryesisht për qytetet e Manastirit, Kumanovës, Ohrit, por betejën kryesore e kanë përqendruar për Shkupin.
Qytetarët zgjedhën mes, Danella Arsovskës, kandidate e pavarur që pati mbështetjen edhe të VMRO-së dhe të opozitës shqiptare dhe Petre Shilegovit, kryetar aktual i Shkupit dhe kandidat i LSDM-së, që u mbështet edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Shkupi, si njësi e veçantë e pushtetit lokal me dhjetë komuna urbane ka rreth 800 mijë banorë, bazuar sipas një statistike të vitit 2015.
Në raundin e parë, VMRO DPMNE-ja ka fituar në pesë komuna të Shkupit, ndërsa LSDM-ja në asnjë prej tyre.
Edhe në raundin e dytë qytetarët votuan me sistemin e ri biometrik - identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.
Qytetarët votuan me protokolle shëndetësore për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi ishin kriteret kryesore për realizimin e procesit votues.
Raundi i dytë u mbikëqyr nga rreth 1,300 vëzhguesit vendor, dhe afër 200 nga OSBE-ODIHR. Vëzhgues kishin akredituar edhe shumë ambasada të huaja në vend.
Të shtunën, të drejtën e votës e kanë realizuar të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me covid-19.
Cilat janë pritjet e disa qytetarëve?
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kërkojnë që drejtuesit e komunave të cilët do të dalin fitues nga këto zgjedhje të jenë më transparent për sa i takon shpenzimit të mjeteve nga buxheti komunal si dhe gjithpërfshirje në politikat e pushtetit vendor.
Bllagica Nikollovska, pensioniste nga komuna e Shkupit thotë për Radion Evropa e Lirë se, më problematike mbetet qarkullimi në qendër nga kaosi i automjeteve.
“Ai që do të zgjidhet pres të jetë më afër qytetarëve, më pak të merret me politikë dhe shumë të merret me problemet të cilat kërkojnë zgjidhje”, thotë Bllagica.
Qytetarët e fshatrave për rreth Shkupit që votojnë për zgjedhjen e kryetarët të kryeqendrës Shkupit thonë se nuk është aspak dinjitoze që këto fshatra siç është Bukoviqi, Kopaonica dhe Arnaqia fare pranë burimit prej ku furnizohet qyteti i Shkupit të mos kenë ujë.
“Ne skemi ujë. Në fshat të jetosh pa ujë s'ka kuptim, s`mund të mbajmë as bagëti asgjë. Vetëm këtë kërkojmë”, thotë Emini nga fshati Bukoviq i rrethinës së Shkupit.
Qytetarët në komunën e Tetovës kërkojnë që ky qytet përfundimisht mos ketë problem me ujin e pijshëm si dhe menaxhimin e mbeturinave.
“Kaluan disa vite dhe vazhdimisht premtohet por problemi me ujin e pijshëm që kemi nuk zgjidhet. Herë arsyetohen me mungesën e mjeteve e herë thjesht e heshtin këtë problem. Gjithashtu problem mbeten dhe mbeturinat, si dhe qentë endacak”, thotë Qemal Vehabi nga qyteti i Tetovës.
Facebook Forum