Ndërlidhjet

Në Kosovë nis të mërkurën vaksinimi i personave mbi 65 vjeç


Pamje nga një qendër e vaksinimit në Kosovë.
Pamje nga një qendër e vaksinimit në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi se të mërkurën, më 12 maj, do të nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit.

Në komunikatën për media thuhet se prioritet në imunizim do të kenë personat që janë regjistruar për vaksinim në platformën online e-kosova.

Sipas planit shtetëror, vaksinimi në Kosovë është ndarë në tri faza.

Personat 65-79 vjeç bëjnë pjesë në fazën e dytë, ashtu si edhe mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e pandemisë.

Në fazën e parë, që ka nisur në fund të marsit, janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.

Në fazën e tretë, ndërkaq, pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.

Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca - 24,000 sosh - në fund të marsit, përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë javë dhe javën e kaluar, vendi ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.

BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë të hënën se më 12 maj do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit dhe çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE-ja, ose nga OBSH-ja.

Të martën, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arriti në 106,538, i viktimave në 2,213 dhe i të shëruarve në 98,223.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG