Duke folur gjatë një festivali të birrës në Bavari, në muajin maj të vitit 2017, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se udhëtimi i parë i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Evropë, e ka bindur atë se ditët e mbështetjes në Shtetet e Bashkuara “kishin përfunduar deri në në masë të caktuar”.
Evropa “me të vërtetë duhet ta marrë fatin e vet në duart e veta”, tha Merkel në deklaratën, e cila u bë tejet e njohur.
Megjithatë, prej se Donald Trump e ka marrë presidencën amerikane, nuk kanë munguar titujt alarmues.
Ish-kryeministri i Suedisë, Carld Bildt, ka shkruar në të përditshmen, Washington Post, “Se si Donald Trump po i bën gjërat më të këqia në Lindjen e Mesme”, ndërsa analisti gjeopolitik aziatik, Richard Javad Heydarian, ka shkruar në po të njëjtën gazetë se “Kjo është se si superfuqia bën vetëvrasje”.
“Gjatë turneut të parë zyrtar të presidentit, Donald Trump, në Azi, ishte në mënyrë të dhimshme i qartë erozioni i rrëpirët i hegjemonizmit të gjatë disa dekada i Amerikës në rajon”, ka shkruar analisti Heydarian dhe ka shtuar se “në një kthesë surreale të ngjarjeve, regjimi komunist në Kinë tash ka dalë si mbrojtës i papritur i globalizimit dhe diplomacisë multilaterale”.
Ekspertët pajtohen në masë të madhe për një gjë, e kjo është se rendi ndërkombëtar që doli pas Luftës së Dytë Botërore dhe dominimi i Shteteve të Bashkuara, prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, po transfomrohen në mënyrë të shpejtë.
Derisa administrata Trump, që veten e ka proklamuar si “e posardhur”, nuk e ka shkaktuar këtë transfomim, tash ajo duhet të merret me këtë situatë.
“Struktura e përgjithshme, NATO-ja, aleancat madhore në Azi, partneritetet madhore që ne i kemi në Lindjen e Mesme – këto e kishin krijuar rendin më stabil ndërkombëtar në historinë e njerëzimit”, tha eksperti, Michael O’Hanlon, nga Qendra për Sigurinë e Shekullit 21, duke e përshkruar rendin që tash po zhduket në të kaluarën, e cila shumë herë ishte quajtur Epoka e Amerikës ose Pax Americana.
“Sistemi që ne kemi ndihmuar ta krijojmë është jashtëzakonisht stabil dhe nuk ekziston periudhë në historinë e njerëzimit para kësaj, ku kanë mundur të shihen qendra të shumëfishta të fuqisë esencialisht duke bashkëpunuar, pa përgatitje për luftën e ardhshme”, ka shkruar Hanlon.
“Pax Americana që ka mbizotëruar prej Luftës së Dytë Botërore, ishte gjë e mirë për Shtetet e Bashkuara, megjithëqë ka pasur njerëz në vendet e tjera që nuk i kanë përjetuar përfitimet e njëjta”, thotë Michael Glennon, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Taft dhe ish-këshilltar juridik në Komitetin e Senatit të Shteteve të Bashkuara.
“Por, në këtë pikë, nuk kemi të bëjmë shumë me çështjen nëse multipolariteti në ardhje është i dëshirueshëm apo jo. Çështja është nëse ekziston diçka që mund të bëhet për ta kthyer atë”, thotë Glennon, dhe përgjigjet se “me gjasë nuk ekziston”.
Ian Lesser, zëvendëspresident i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, pajtohet se “bota rreth nesh po ndryshon”, me fuqitë që po dalin në skenë, si Kina dhe Rusia, që garojnë për ndikim rajonal dhe global.
Në këtë aspekt, eksperti Lesser shef “shumëllojshmëri të fuqisë” , që ka evoluuar gjatë dekadës së fundit, në mesin e aktorëve shtetërorë dhe atyre joshtetërorë, siç janë korporatat.
Njëherësh, problemet sikur terrorizmi, korrupsioni, ndryshimi klimatik, tregtia dhe zgjerimi i armatimit për shkatërrim në masë, janë gjithnjë e më tepër globale dhe komplekse.
“Si ndjenjë, fuqia nuk është që do të duhej të ishte dhe Shtetet e Bashkuara duhet të përshtaten”, tha Lesser.
Në këtë ambient të ndryshimit, administrata Trump, vetëm një vit në zyrë, është kritikuar ashpër nga e majta dhe e djathta për dështimin e perceptuar për implementimin ose bile artikulimin e prioriteteve dhe mekanizmat për ballafaqim me vështirësi.
Trump gjatë fushatës së tij udhëhiqej me sloganin “Amerika së pari”, duke i kritikuar marrrëveshjet ndërkombëtare dhe institucionet, që ai pretendon se ishin “marrëveshje të këqia” për Shtetet e Bashkuara.
James Goldgeier, ish-dekan i Shkollës Universitare Amerikane për Shërbim Ndërkombëtar, thotë se megjithëqë Shtetet e Bashkuara mbesin “fuqia udhëheqëse e botës” me kapacitete të rëndësishme ndërkombëtare, “duket se Trump po bën çdo gjë të mundshme për ta zvogëluar nivelin amerikan në botë”, duke e shkatërruar forcën e sistemit multilateral që e ka trashëguar, duke mos ofruar zëvendësim koherent.
Nga ana tjetër, ish-zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Richard Kauzlarich, ka tërhequr vëmendjen se aktualisht ne po shohim një “zbrazëti” në Departamentin Amerikan të Shtetit, “në kohën kur na duhet një diplomaci më aktive dhe e fuqishme”.
Në këtë kuadër ai thekson se problemi shkon përtej tensioneve të dokumentuara mirë ndërmjet presidentit Trump dhe sekretarit të shtetit, Rex Tillerson.
Kauzlarich thekson se shumë poste të larta në Departamentin e shtetit janë të paplotësuara, pasi diplomatë të lartë ose janë tërhequr ose janë shkarkuar.
Rrjedhimisht, pak nëpunës të rinj të Shërbimit të jashtëm po rekrutohen, dhe kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme gjatë viteve dhe dekadave të ardhshme.
“Mendoj se kjo është tragjedi dhe e dobëson aftësinë tonë për të vepruar në mënyrë multilaterale”, tha Kauzlarich.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universiteetin Boston, Andrew Bacevich, në revistën, Foreign Affairs, ka shfaqur argumente kundër një “nacionalizmi përgjegjës”, duke thënë se vendimi i Trumpit për sulmet ajrore në Siri, shtimi i ushtarëve në Afganistan, përpjekjet për të ndërmjetësuar marrëveshje në Lindjen e Mesme dhe politikat e tjera, vështirë se mund të përshkruhen si izolacioniste.
“Ajo që sugjerohet është diçka shumë më e keqe: një qasje keqinformuese, impulsive dhe kapricioze ndaj politikës së jashtme”, ka shkruar Bacevich dhe ka shpjeguar se “në fakt, nëse politika implikon model të parashikueshëm të sjelljes, atëherë politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara ka pushuar së ekzistuari kur Trump e mori zyrën”.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mesin aktori kryesor ndërkombëtar, përkundër arenës evolvuese gjeopolitike dhe shqetësimeve për politikat e administratës Trump.
Këto gjëra,”nuk e kanë bërë fuqinë dhe ndikimin amerikan të parëndësishëm, larg nga kjo”, thotë Ian Lesser, nga Fondi Marshall Gjerman i Shteteve të Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara ende janë aktor shumë i fuqishëm në skenën ndërkombtare, me gjasë më i fuqishmi dhe mund të bëhet një argument i mirë se do të mbetet në këtë pozicion të përparësisë edhe për një kohë të ardhshme”.
Analisti Goldgeier, po ashtu, sjell vlerësim të ngjashëm.
“Shtetet e Bashkuara janë ende vendi më i fuqishëm në botë”, thotë Goldgeier dhe shton se “ende kanë kapacitete të mëdha”.
Shtetet e Bashkuara “ende e kanë sistemin më të mirë të arsimit të lartë në botë dhe ende është vendi ku shumë njerëz do të dëshironin të vinin dhe të jetojnë”.
Facebook Forum