Ndërlidhjet

Në hall me normat e larta të interesit të kredive


Ilustrim.
Ilustrim.

Normat e interesit në kredi për ekonomi familjare dhe ndërmarrje, ndonëse kanë shënuar rënie përgjatë viteve të fundit në Kosovë, ato vazhdojnë të mbesin të larta, gjë e cila sipas njohësve të kësaj fushe, po i dëmton bizneset dhe po pamundëson zhvillimin e ekonomive familjare.

Për vite me radhë, normat e interesit në bankat komerciale në Kosovë kanë qenë deri në 15 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredive, por që viteve të fundit këto norma, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kanë arritur të ulen në 7 për qind.

Të dhënat BQK-së tregojnë se shuma e kredive në 10 bankat komerciale në Kosovë është 2.7 miliardë euro. Prej tyre afër 1 miliard euro përbëjnë kredi për ekonomitë familjare dhe mbi 1.7 miliard euro për ndërmarrje.

Por, pavarësisht rënies së normave të interesit në kredi, përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të kësaj fushe, konsiderojnë se këto normat ende janë të larta.

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), shoqatë kjo që mbron interesat e bizneseve në Kosovë, ka bërë një monitorim të bizneseve rreth efekteve që kanë normat e interesit te bizneset. Kryetari i kësaj shoqate, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se normat e larta kanë pamundësuar zhvillimin e bizneseve dhe disa prej tyre, i kanë falimentuar.

“Nga pesë problemet që aktualisht bizneset ballafaqohen janë interesi bankar si dhe vështirësitë për të marrë kredi. Në një hulumtim të bërë kohë më parë, kemi evidentuar se 20 për qind e bizneseve të mbyllura kanë pasur shkaktar normat e larta të interesit. Krahasuar me të kaluarën (vitit 2010 deri në vitit 2015), sot normat e interesit janë shumë më të ulëta, por krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë, Kosova vazhdon të ketë normat më të larta të interesit”, thotë Shahini.

Normat e larta të interesit në kredi, shton Shahini, paraqesin vështirësi më të mëdha te bizneset familjare.

“Nëse flasim për biznese të vogla dhe biznese familjare, atëherë normat e interesit janë më të larta dhe se këto biznese e kanë shumë të vështirë të zhvillohen. Këto norma të larta vështirësojnë veprimtarinë e tyre, pasi që një pjesë shumë e madhe e fitimit shkon në kthimin në interes të kredisë. Shpesh bizneset familjare kanë qenë në gjendje të rëndë dhe ka pasur raste kur ato nuk kanë arritur ta kthejnë kredinë”, thotë Shahini.

Sektori financiar dhe bankar në Kosovë, vlerësohet jo vetëm më fitimprurësi, por edhe sektori me performancën më të qëndrueshme në Kosovë. Ky sektor, karakterizohet me një prezencë të madhe të kapitalit të huaj, ku 87 për qind e aseteve totale menaxhohen nga bankat e huaja, kështu që kapitali i huaj dominon në 8 prej 10 bankave që operojnë aktualisht në Kosovë.

Milazim Abazi, ekspert i çështjeve financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë normat e larta të interesit që kanë ndikuar në ngufatjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ai thotë se pavarësisht rënies ndër vite të normave të interesit në kredi, ato vazhdojnë të jenë të larta.

“Bankat komerciale në Kosovë duhet të reflektojnë dhe të ulin interesat në kredi, pasi që do të rritje pastaj edhe kërkesa. Në rajon, normat e interesit sillen përafërsisht në 3 për qind, derisa në Kosovë mesatarja është 6.8, e që jemi dyfish më shumë sesa rajoni. Në Kosovë ka nevojë që të rritet numri i bankave komerciale, pasi që konkurrenca do të detyronte bankat të ulin interesat. Tani në këtë konkurrencë që është bankat nuk kanë interesim për ulje, pasi që ato po ndihen komode”, thotë Abazi.

Ndryshe, përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e klientëve kredi kanë edhe në institucionet mikrofinanciare që operojnë në vend.

Institucionet mikrofinanciare në Kosovë kanë norma shumë më të larta sesa bankat komercial. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se norma e interesit për kredi në institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë, është 21.7 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG