Për të rinisur bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pala kosovare dhe ajo serbe janë pajtuar që t'i heqin pengesat për dialog.
Kosova është pajtuar që të pezullojë përpjekjet për t'u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtarë, ndërsa Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar të martën gjatë një debati të Institutit Demokratik te Kosovës, se ka dakordim që deri më 27 qershor, Kosova të pushojë aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Me gjithë pengesat e shkaktuara nga fushata e Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, Kosova është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare e sportive. Disa nga ato janë:
- Banka Botërore
- Fondi Monetar Ndërkombëtar
- Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim
- Federata Botërore e Futbollit
- Federata Evropiane e Futbollit
- Komiteti Olimpik
- Organizata Botërore e Doganave
- Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA)
Kosova nuk është anëtare e:
- Organizatës së Kombeve te Bashkuara
- Bashkimit Evropian
- Këshillit të Evropës
- Organizatës Botërore të Tregtisë
- Organizatës Botërore të Shëndetësisë
- Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë
Fushata e Serbisë ka penguar që Kosova të anëtarësohet në:
- Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL)
- Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO)
Arritja e një marrëveshje eventuale gjithëpërfshirës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrjedhimisht një ulëse në Kombet e Bashkuara, do t’ia lehtësonte tërësisht Kosovës anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Fushata e Serbisë për çnjohje të pavarësisë së Kosovës
Serbia e udhëheqë fushatën e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës që nga viti 2017.
Në emër të Serbisë, fushatën e ka udhëhequr ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.
Daçiqi ka deklaruar që 18 shtete i kanë tërhequr njohjet e Kosovës.
Shtetet që i kanë tërhequr njohjet e Kosovës, sipas të dhënave të Serbisë: Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guinea Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guineja e Re, Lesoto, Komonuelthi i Dominikës, Grenada, Unioni i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone dhe Nauru.
Si sukses i Serbisë është theksuar fakti që Kosova nuk është anëtarësuar në UNESCO dhe INTERPOL.
Shefi i diplomacisë së Serbisë ka thënë që ka vizituar 108 shtete për të biseduar lidhur me rishqyrtimin e pozicionit të tyre ndaj Kosovës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Kosova nuk e ka shumicën në Kombet e Bashkuara, sepse nga 193 shtete anëtare, shtetin e Kosovës e njohin 92 prej tyre dhe nuk e njohin 96 prej tyre. Ndërkaq, pesë shtete kanë “qëndrim fluid”.
“Qëndrimi fluid”, sipas Daçiqit, do të thotë që ato shtete “kryesisht e njohin Kosovën, por më nuk votojnë për të”.
Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Kjo masë u zëvendësua me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.