Ndërlidhjet

Ndryshimet në Ligjin e festave, peng i politikës 


Disa njerëz duke ecur në sheshet e Prishtinës. Fotografi nga arkivi.
Disa njerëz duke ecur në sheshet e Prishtinës. Fotografi nga arkivi.

Gjashtë të hëna radhazi në Kosovë, duke filluar nga 11 prilli deri më 9 maj, janë ditë pushimi, në bazë të Ligjit për festa zyrtare.

Të shtunën, më 9 prill, u shënua Dita e Kushtetutës së Kosovës, por ditë pushimi është sot - e hënë.

Të dielën, më 17 prill, festohen Pashkët Katolike, ndërsa pushohet të hënën.

Të dielën, më 24 prill, janë Pashkët Ortodokse - e hëna pasuese është ditë pushimi.

Të dielën, më 1 maj, është Dita Ndërkombëtare e Punës; të hënën, më 2 maj, është ditë pushimi.

Të hënën, më 2 maj, është edhe dita e parë e Bajramit të Madh, ndërsa për të pushim është edhe më 3 maj.

Të hënën, më 9 maj, është po ashtu pushim, pasi shënohet Dita e Evropës.

Në bazë të ligjit, “kur ditët e festave zyrtare bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi janë ditët pasardhëse të punës - dita e hënë”.

Ligji për festat zyrtare në Kosovë, i miratuar në vitin 2008, mbulon 11 festa dhe respektohet nga institucionet publike, por jo edhe të gjitha bizneset e sektorit privat.

Disa qytetarë, të anketuar në Prishtinë, thonë se ky ligj duhet ndryshuar në atë mënyrë që të ndalojë praktika e bartjes së festave nga fundjava në ditë pune.

Isak Reka, pronar i një lokali ushqimor në kryeqytet, thotë se sektori privat nuk i bart festat. Ai thotë se as vetë dhe as punëtorët e tij nuk pushojnë në të gjitha festat.

“Ne [në sektorin privat] nuk i lidhim festat, punohet vazhdimisht. Nuk ke llogari të pushosh se ka shumë festa. Përse duhet të festohet në Kosovë Dita e Evropës?”, thotë Reka.

Ngjashëm mendon edhe Zade Kamberi, infermiere në Klinikën e Hematologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo thotë se nga bartja e festave në ditë pune, më së shumti do ta pësojnë nxënësit.

“Shumë ka festa. Unë punoj, por nuk ka nevojë për të gjitha këto ditë pushimi. Në klinikë ka kujdestari dhe nuk ka pengesa. Por, çka ndodh me fëmijët? Gjashtë të hëna! Nuk do të kenë lëndë me orar të ditës së hënë”, thotë Kamberi.

Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare, përkatësisht heqjen e disa festave zyrtare dhe ndalimin e bartjes së festave nga fundjava në ditë pune, e kanë kërkuar disa herë edhe deputetë të partive më të mëdha politike në Kuvendin e Kosovës, por, deri më tash, pa sukses.

Ligji ka hyrë në proces të ndryshimit dhe ka kaluar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, por të vetmin ndryshim që përmban është përfshirja edhe e një feste tjetër: Ditës së komunitetit egjiptian, që shënohet më 24 qershor.

Kërkesa për këtë festë është bërë para dy vjetësh, në atë kohë nga deputeti i komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqi, tani ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Valon Ramadani, anëtar i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, nga radhët e partisë në pushtet - Lëvizjes Vetëvendosje - thotë se kur projektligji të arrijë për shqyrtim në Kuvend, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të kërkojë që me një amendament të veçantë, të ndalohet bartja e festave dhe të largohet 9 Maji - Dita e Evropës - nga lista e festave zyrtare.

Më 9 maj, gati në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian është ditë pune.

Ramadani thotë se ndryshimet në Ligjin e festave zyrtare janë bllokuar për çështje politike.

Kushtetuta e Kosovës e cilëson këtë ligj me interes vital. Dhe, për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve me interes vital nevojiten dy të tretat e votave të Kuvendit, që ka 120 deputetë, si dhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë.

“Në Komisionin [për Administratë Publike] ka kaluar, Komisioni e ka përcjellë për në Kuvend, por në seancë nuk mund të trajtohet, nëse nuk marrin pjesë deputetët nga komuniteti serb. Sa herë që ky ligj ka qenë në rend dite, deputetët e komunitetit serb nuk kanë marrë pjesë”, thotë Ramadani dhe shton se nuk i di arsyet e tyre.

REL nuk ka arritur të bie në kontakt me deputetët serbë.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës thonë se do të mbështesin çdo iniciativë për ndalimin e bartjes së festave.

“Sa i përket çështjes së ngritur për ndryshimin e dispozitës, e cila aktualisht përcakton që të ketë ditë pushimi edhe atëherë kur festa zyrtare bie gjatë ditës së fundjavës, ne si Qeveri e mbështesim në parim ndryshimin e kësaj dispozite”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ligji për festat zyrtare në Kosovë kritikohet edhe nga shoqëria civile.

Albana Rexha, nga Instituti Demokraci Plus, e konsideron të domosdoshëm ndryshimin e nenit katër, i cili parasheh bartjen e festave nga fundjava në ditë pune.

“...kurse në datën 9 maj sugjerojmë që të mos ketë ditë pushimi”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Më herët, edhe Oda e Afarizmit e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë që me urgjencë ta ndryshojë dhe plotësojë Ligjin për festat zyrtare, duke thënë se bartja e festave nga fundjava në ditë pune, “e dëmton vendin në aspektin financiar”.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj, janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.

Përveç këtyre festave, ligji përcakton edhe tetë ditë memoriale, por për to nuk ka pushim.

Ngjashëm si Kosova, edhe Shqipëria, e cila ka 14 festa zyrtare, i shtyn ato në ditë pune, nëse bien të shtunën ose të dielën.

Festat barten edhe në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, kurse në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut ato barten të hënën vetëm nëse bien të dielën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG