Shumica parlamentare në Maqedoni ka siguruar dy të tretat e votave për të kaluar ndryshimet kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.
Siç bëhet e ditur nga Lëvizja Besa, kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami, dhe kryeministri Zoran Zaev, janë marrë vesh që kërkesat e opozitës shqiptare të realizohen përmes Ligjit kushtetues dhe jo përmes amendamenteve plotësuese.
Sipas marrëveshjes, çështja e shtetësisë në dokumentet personale për maqedonasit do të jetë sipas formulimit /maqedonase/ qytetar i Maqedonisë së Veriut/ ndërsa për shqiptarët /e Maqedonisë/ qytetar i Maqedonisë së Veriut.
Opozita kishte kontestuar variantin e parë pasi sipas saj, predikonte përkatësinë etnike të shqiptarëve si maqedonas. Marrëveshja parashikon që me ligj të rregullohet edhe çështja e letërnjoftimet me çka do të shtohet një grafikë e përkatësisë etnike. Për kujdesin ndaj diasporës pranohet amendamenti i Lëvizjes Besa që të përmenden të gjitha bashkësitë etnike të pranuara me Kushtetutë.
Këto ndryshime së bashku me amendamentet tjera pritet të votohen në seancën që pritet të mbahet më vonë gjatë mbrëmjes.
Me votimin e tyre zbatohet edhe Marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar, me të cilat zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe nisja në qershor e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Që të jetë e plotfuqishme, Marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë, por vetëm pasi më parë të jetë zbatuar tërësisht nga Maqedonia. Marrëveshja parasheh ndërrimin e emrit të Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut.
Ndryshimet kushtetuese, dallime edhe mes ekspertëve
Dallimet ndërmjet partive politike lidhur me përkufizimin e shtetësisë së qytetarëve në dokumentet personale, ka ndarë në qëndrime edhe disa nga njohësit e çështjeve politike dhe juridike në vend.
Ekspertët maqedonas kundërshtojnë kërkesën e Lëvizjes Besa, e cila dy votat e saj vendimtare për të votuar ndryshimet kushtetuese me 80 vota, i ka kushtëzuar me ridefinimin e shtetësisë, e cila është formuluar si /maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut.
“Mendoj se Kasami dhe Sela kanë zgjedhur një periudhë shumë të pakëndshme dhe me veprimet e tyre po humbin edhe atë pozitë të dobët që kishin edhe para qytetarëve të Maqedonisë, por edhe para faktorit ndërkombëtar. Tani nuk është koha për kushtëzime apo kërkesa të tilla pasi tani është koha që të gjithë të bashkohemi për të ardhmen evropiane të Maqedonisë pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për maqedonas, shqiptar apo të tjerë”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, ish-diplomati Nani Ruxhin.
Ai ka theksuar rëndësinë që ka për vendin mbyllja e kontestit të emrit me Greqinë, që sipas tij, për 27 vjet sa edhe ka zgjatur, e ka bllokuar procesin euro-integrues dhe me këtë edhe perspektivën dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ne duhet ta kryejmë këtë obligim dhe besoj se jemi në fazën e fundit të mbylljes së këtij kapitulli të gjatë. Të gjithë ne nuk duhet ta lëshojmë këtë shans historik dhe përfundimisht ky shtet të nisë të shkëputet nga vendi ku është katandisur”, thotë Ruzhin.
Ai, sikurse dhe ekspertë tjerë maqedonas nuk e përjashton mundësinë, që pas kushtëzimeve të Lëvizjes Besa, të qëndrojnë edhe qarqe të jashtme, që duan që Maqedonia të mbetet e izoluar, por pa saktësuar sa për çfarë qarqesh bëhet fjalë.
Por, ndryshe vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe gjuhësore shqiptare. Ata i arsyetojnë kërkesat e opozitës shqiptare duke kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme që shqiptarët, në përkufizimin e shtetësisë në dokumentet personale të mos ndihen maqedonas.
Dervish Alimi, jurist dhe njohës i çështjeve të gjuhësisë, thotë se shqiptarët nuk mund të pajtohen që ta pranojnë formulimin /maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut”, pasi kjo do të prejudikojë edhe përkatësinë e tyre etnike. Ky formulim, sipas Alimit, nuk është në përputhje as me zgjidhjen e deritanishme, e cila për shqiptarët ka formulimin /e Maqedonisë.
“Zgjidhja më e mirë për dalje nga kjo situatë dhe ngërçi politik është në gjetjen e kompromisit në aspektin e përkatësisë etnike dhe shtetërore të fjalës maqedonase, sepse ka një konfuzion këtu edhe gjuhësor edhe juridik. Gramatikisht maqedonase e ka kuptimin e mbiemrit dhe kjo gramatikisht e përshkruan edhe emrin".
"Nëse thua se shtetësia është maqedonase, i bie se është e maqedonasve, ndërsa nëse e themi në rasën gjinore, shtetësia e Maqedonisë së Veriut, domethënë në këtë rast, eliminohet përkatësia etnike dhe ekskluziviteti etnik i përkatësisë së shtetit”, thotë Dervish Alimi, duke shtuar se drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike nuk duhet ta lënë zvarrë këtë çështje në emër të zgjidhjes së një zgjidhjeje tjetër, siç është ajo e emrit me Greqinë.
“Këtu ka një mashtrim politik. Pala maqedonase në emër të zgjidhjes së një problemi tenton që të privojë shqiptarët nga e drejta e përkatësisë etnike dhe nga e drejta e shtet-formësisë”, thotë Alimi.
Me votimin e ndryshimeve kushtetuese në fakt zbatohet edhe marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar, me të cilat zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe nisja në qershor e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.