Ndërlidhjet

OKB: Ndotja me plastikë mund të zvogëlohet për 80% me riciklim dhe ripërdorim


Produkte të plastikës.
Produkte të plastikës.

Ndotja me plastikë mund të zvogëlohet për 80 për qind, deri më 2040, nëse shtetet dhe kompanitë hartojnë politika dhe bëjnë ndryshime në tregje, ka thënë Programi i Kombeve të Bashkuara për Ambient (UNEP).

Për të arritur në atë pikë, OKB-ja ka thënë se duhet të punohet më shumë në ripërdorim, riciklim dhe riorientim të produkteve të plastikës.

Sipas ekspertëve të OKB-së, kjo nënkupton që qeveritë duhet të promovojnë shishe që rimbushen, dhe skema të rikthimit të produkteve të plastikës.

Mes tjerash, ata kanë thënë se ndotja me plastikë mund të ulet, edhe nëse riciklimi bëhet më i qëndrueshëm dhe profitabil.

Shefja ekzekutive e UNEP-it, Inger Andersen, ka thënë se mënyra sesi prodhojmë, përdorim dhe e hedhim plastikën, është duke ndotur ekosistemet, po krijon rreziqe për shëndetin e njeriut dhe po e destabilizon klimën.

Raporti i kësaj agjencie, që flet për mënyrat e dhënies fund të përdorimit të plastikës, është publikuar pas një rundi të dytë të negociatave në Paris, ku është analizuar trendi global për të luftuar ndotjen me plastikë.

Sipas agjencisë, ndryshimi i politikave në përdorim të plastikës, mund të krijojë mbi 700.000 vende të punës deri më 2040, kryesisht në shtete me të hyra të vogla.

Produktet e plastikës janë gjetur në pothuajse secilin kënd të botës, përfshirë Antarktikën.

Më herët gjatë këtij viti, shkencëtarët e kanë identifikuar te zogjtë, sëmundjen e parë të shkaktuar nga plastika.

E quajtur plasticosis, kjo sëmundje shkakton inflamacion në traktin tretës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG