Ndërlidhjet

Ndotja e ajrit, rrezik për shëndetin dhe jetën


Një qytetar mban maskë në fytyrë gjatë protestës kundër ndotjes së ajrit. Prishtinë, 31 janar, 2018
Një qytetar mban maskë në fytyrë gjatë protestës kundër ndotjes së ajrit. Prishtinë, 31 janar, 2018

Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit në Kosovë ka sjellur si pasojë rrezikimin serioz të shëndetit të qytetarëve. Personat më të rrezikuar konsiderohen ata që vuajnë nga sëmundje të caktuara kronike.

Ndotja e ajrit, edhe sivjet u aktualizua shumë gjatë stinës së dimrit. Të dhënat që ofronte vazhdimisht Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, kanë treguar se vlerat e ndotjes së ajrit ishin shumë të lartë dhe të rrezikshme për shëndetin.

Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rikujtojnë rezultatet e hulumtimeve të Bankës Botërore gjatë këtyre viteve të fundit, sipas të cilave del se në zonat urbane, si pasojë e ndotjes së ajrit, shtohet edhe numri i vdekjeve.

Antigona Ukëhaxhaj, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se ndotja e lartë, padyshim që llogaritet ndër shkaktarët e disa rasteve të vdekjeve të njerëzve.

“Sipas një raporti të bërë nga Banka Botërore në Kosovë, del se kostoja e aerondotjes në zona urbane shkakton 835 vdekje premature,310 raste të bronkiteve kronike, 600 pranime spitalore dhe 11.600 vizita në emergjencë brenda vitit”.

“Por ne nuk e dimë si kanë kalkuluar dhe a janë bazuar në pranimet spitalore apo në rastet e vdekshmërisë”, tha Ukëhaxhaj.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, bën të ditur se ndonëse për një vit janë mbi 60 mijë raste emergjente që kërkojnë ndihmë mjekësore vetëm në këtë klinikë, mbi 11 mijë prej tyre ju takojnë sëmundjeve internistike dhe pulmonare, e që kanë ndërlidhje me ndotjen e ambientit. Sipas tij, megjithatë nuk mund të thuhet se shkaktar i vdekjes mund të jetë ndotja e ajrit.

“Përkundër kësaj, rastet kronike ndërlikohen për arsye të ndryshme duke u ndërlidhur me zhvillimin e sëmundjes, por që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe akterë të tjerë duhet gjetur shkaktarin e vdekjes. Mund të thuhet se si faktor mund t’i provokojë edhe ajri i ndotur, por ka sëmundje që janë multifaktoriale dhe ato duhet studiohen”, thotë Lenjani.

Ndotja e ajrit në Dardhishtë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00

Në anën tjetër, Rukije Mehmeti, pulmologe, thotë se muaji janar ka qenë më i mbingarkuari me pacientë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të sëmundjeve kronike. Ajo shton se edhe ajri, sipas të dhënave, ka qenë në atë kohë i ndotur, e që ka komplikuar gjendjen shëndetësore të pacientëve.

“Këtë vit kemi pasur raste të vdekjeve të sëmundjeve kronike obstruktive, e që është përkeqësuar gjendja si faktor i sëmundjes bazë. Ne nuk kemi mund ta vërtetojmë shkaktarin e vdekjes nëse ka qenë ndonjë virozë apo si pasojë e vetë sëmundjes apo edhe që ka pasur ndonjë ndërlidhje me ndotjen e ajrit”, tha Mehmeti.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës pati mbajtur në muajin janar seancë të jashtëzakonshme lidhur me ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë konsideruar gjendjen e cilësisë së ajrit si mjaft shqetësuese jo vetëm në Prishtinë, por edhe në regjione të tjera të Kosovës.

Si të domosdoshme nga deputetët është theksuar përmirësimi i politikave mjedisore lidhur me cilësinë e ajrit.

Protestë në Prishtinë - qytetarët kërkojnë ajër
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj tashmë ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian gjatë këtij viti do të ndajë 34 milionë euro për ndërrimin e elektrofiltrave për termocentralin Kosovën B, filtra këto të cilat nuk janë ndërruar që nga viti 1985, e që thuhet se është një prej ndotësve më të mëdhenj në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG