Shumë qytete të Maqedonisë së Veriut mbeten në krye të listës së vendeve me ajrin më të ndotur në nivel botëror.
Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit tregojnë nivele të larta të ndotjes së ajrit në Kërçovë, Manastir, Tetovë, Strumicë, Shkup dhe qytetet e tjera të vendit duke shënuar praninë e grimcave kancerogjene PM10 në disa vende edhe mbi 150 mikrogramë për metër kub.
Por, autoritetet e vendit thonë se akoma nuk është nevoja të ndizet drita e kuqe për të aplikuar masat urgjente.
Nën moton “Ata pasurohen ne helmohemi” kanë filluar të parët të premten protestën kundër ndotjes së ajrit, nxënësit e shkollave të mesme.
Blendi Hodai, kryetar i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, thotë se shumica e nxënësve tashmë si rrjedhojë e ndotjes enorme të ajrit në shumë qytetet të vendit, kanë probleme serioze me sistemin respirator.
“Ne sot jo vetëm me pjesëmarrjen në protesta, por edhe me bojkotimin e mësimit që kemi organizuar, dëshirojmë që të japim një mesazh te të gjitha autoritetet dhe institucionet se nëse nuk ndërmerren masa që do të prodhojnë efekte pozitive, ne nxënësit e shkollave të mesme, gjysmë-vjetorin e dytë nuk do ta fillojmë në banka, por do të dalim në rrugë për të protestuar, sepse kjo është e vetmja zgjidhje që mund të bëjmë”, thotë Hodai.
Ai thekson se autoritete të caktuara, përkatësisht disa nga drejtorët e shkollave, kanë synuar t’i ndalojnë nxënësit të mos dalin për të protestuar kundër ndotjes së ajrit.
“Ne do t’i paraqesim të gjitha kërcënimet që janë duke u bërë nxënësve që të mos dalin të protestojnë”, ka theksuar Hodai.
Ndërkohë ka reaguar dhe Ambasada e fëmijëve “Megjashi”, duke theksuar se në vend se t’i dënojmë shkollarët, duhet t’i inkurajojmë që të ngrenë zërin kundër ndotjes së ajrit dhe ambientit jetësorë.
Ndërkaq, më shumë se 40 organizata joqeveritare kanë organizuar një marshim në Shkup, nën moton “Të themi JO për 3.500 raste fatale në nivel vjetor si pasojë e ndotjes së ajrit!”.
Organizatat joqeveritare që në fokus kanë ruajtjen e ambientit, thonë se autoritetet qeveritare janë treguar jo të shkathëta në përmbushjen e kërkesave konkrete për të kontribuar në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.
“Kërkojmë të përmbushen parakushtet për të siguruar ajër cilësor, me atë që Qeveria të demonstrojë se jeta e qytetarëve është e rëndësishme”, kanë theksuar organizatorët e protestës, duke shtuar se përderisa nuk realizohet pjesa më e madhe e 100 kërkesave të tyre, Qeveria dëshmon se nuk e ka prioritet jetën e qytetarëve.
*Video nga arkivi: Ballkani probleme me ndotjen e ajrit
Nga dikasteri i Ambientit Jetësor janë zotuar se nëse grimcat kancerogjene shënojnë rritje dhe vazhdon ndotja e ajrit të jetë mbi shkallën e lejuar, do t’i aktivizojë edhe masat urgjente.
“Nëse kapërcehet pragu i paraparë me ligj, do të duhet t’i vendosim në fuqi masat, do të duhet t’u themi njerëzve që të qëndrojnë brenda, veçanërisht të sëmurët, gratë shtatzëna etj. Kjo është diçka që nuk duam ta bëjmë, shpresoj se ndotja nuk do të rritet dhe ne do të ndërmarrim veprime”, ka theksuar ministri i Ambientit Naser Nuredini.
Ai ka shtuar se institucioni që ai drejton, e ka intensifikuar bashkëpunimin me kryetarët e komunave për të ndaluar lëvizjen e makinave të vjetra që kanë emetime të larta.
Nga ky institucion po ashtu kanë thënë se tashmë janë instaluar instrumentet e reja për matjen e cilësisë së ajrit, ndërkohë që ndahen subvencione për invertorë që të ulet ndotja e ajrit nga gjësendet që përdorin qytetarët për ngrohje, si copa dërrasash nga mobilieritë që përmbajnë ngjyra dhe llaqe me kemikale.
Ndërkaq, nga sektori civil kërkojnë që të ndalohet importi i tërësishëm i mbeturinave që përdoren si lëndë ngrohëse.
Nevena Georgievska, aktiviste për mbrojtjen e ambientit nga organizata Iniciativa O2 thotë se në ndotjen e ajrit hise të madhe dhe djegia e mbeturinave që shfrytëzohen për ngrohje, të cilat importohen nga jashtë. Në lidhje me këtë, ajo thotë se opinioni është shumë pak i njoftuar se në ç`mënyrë është e rregulluar kjo çështje nga ana shtetit.
“Kërkojmë që të ndalohet importi i mbeturinave që shfrytëzohen si reagens për ngrohje. Kjo është një nga kërkesat kryesore që ia kemi drejtuar Qeverisë. Përderisa shteti nuk ka instaluar një kontroll më rigoroze rreth asaj se çka digjet dhe ku digjet si lëndë për ngrohje, duhet të mbrohemi veçanërisht në ato zona ku ndotja është e lartë”, thotë Georgievska.