Ndërlidhjet

Ndotja e ajrit në Kosovë po kërcënon shëndetin e qytetarëve


Rikthehen nivelet e larta të ndotjes së ajrit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:45 0:00

Ndotja e ajrit në disa qytete të Kosovës ka arritur në nivele të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Sipas të dhënave të autoriteteve në Kosovë, gjatë dy ditëve të fundit, vlerat e PM 2.5 ishin mbi vlerat e lejuara.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina dhe disa qytete të tjera si Obiliqi, Mitrovica, Gjilani dhe Drenasi janë qytetet të cilat më së shumti përballen me nivel të lartë të ndotjes së ajrit.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik paralajmëron për ajrin e ndotur në Prishtinë. Sipas këtij Instituti, urgjentisht duhet të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet dhe të ndërmerren masa tjera specifike.

Instituti kërkon që të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizator si dhe inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.

“Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive te moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit”, thuhet në njoftim të Institutit të Shëndetit Publike.

Ndërkohë, qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen të shqetësuar për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë.

Ilir Ahmeti thotë se niveli i lartë i ajrit të ndotur i pamundëson atij që të dalë në periudha të caktuara edhe jashtë shtëpisë.

“Nuk është që na tregojnë vetëm matësit e ndotjes së ajrit në qytet dhe në vende tjera, por e kemi parë edhe vizualisht, sidomos në mëngjes vërehet që është një perde e hirtë mbi Prishtinë dhe po të njëjtën kohë edhe pasdite vërehet edhe nga era e qymyrit. Këtu kanë faj edhe qytetarët që përdorin lëndë djegëse të cilat janë të dëmshme për ambientin, po ashtu edhe numri i madh i automjeteve në komunikacion”, thotë ai.

Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit, thotë qytetarja Hamide Zeneli, duhet të vë në alarm institucionet e vendit. Pasi që si e tillë kjo gjendje, sipas saj, po ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin e njerëzve.

“Niveli i lartë i ndotjes së ajrit po përsëritet vazhdimisht dhe askush nuk po ndërmerr masa nga institucionet përkatëse që duhet të merret me këtë problematikë. Po na pengon sepse ka viruse të ndryshme që po paraqitën çdo vit”, thotë ajo.

Termocentrali Kosova B.
Termocentrali Kosova B.


Veturat e shumta, Korporata Energjetike e Kosovës, përdorimi i thëngjillit për ngrohje, kushtet e pafavorshme atmosferike po konsiderohen nga institucionet e vendit faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë.

Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministrit në detyrë të Mjedisit, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë marrë masa për reduktimin e ndotjes së ajrit, por që sipas tij, përveç institucioneve edhe qytetarët do të duhej të kontribuonin në ruajtjen e cilësisë së ajrit.

Ai ju bën thirrje qytetarëve që të mos ngrohen me thëngjill, por të përdoren lëndë tjera djegëse më pak të dëmshme për mjedisin.

“Në bashkëpunimin e Komisionin e pavarura për Miniera dhe Minerale kemi ndërmarrë disa veprime siç është konfiskimi i thëngjillit ilegal që shitet në Kosovë, pasi që dihet se në vendet ku nxjerrët ilegalisht thëngjilli në Kosovë, ai thëngjill është i papërpunuar dhe paraqet rrezik mjaft të madh për shëndetin e qytetarëve dhe fatkeqësisht një pjesë e madhe e thëngjillit që shitet në tregjet e Kosovës është nga këto deponi”, thotë Sahiti.

*Video nga arkivi: Ajri ngufatës

Ajri ngufatës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Veprimi më i madh që ka ndodhur në këtë vit dhe që do të jetë vendimtar për reduktimin e ndotjes së ajrit, shton Sahiti, është ndërrimi i filtrave të Termocentralit Kosova B, projekt ky që do të zgjasë disa vite, por me përfundimin e këtij projekti, thotë ai, do ketë reduktim të ndotjes së ajrit në Kosovë.

“Pas kësaj mbetet që të merremi me veturat dhe me thëngjillin. Ndalimi i përdorimit të thëngjillit tek ekonomitë familjare tani për tani është i pamundur, derisa të mos ju afrojmë atyre një alternativ tjetër për ngrohje. Ndërsa për veturat ne kemi nxjerr një udhëzim administrativ për kontrollimin e gazrave që lirojnë veturat dhe presim që ky udhëzim administrativ të zbatohet sa më shpejt nga Ministria e Infrastrukturës”, thotë Sahiti.

Për degradimin e mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Në raportet e këtyre mekanizmave, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimore dhe në Evropë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG