Vetëm pse u siguroi migrantëve një vend për të fjetur në hotelin e tij në Sombor – qytet në veriperëndim të Serbisë – Sinisha Sevo u etiketua si tradhtar nga ekstremistët e krahut të djathtë dhe u kërcënua me vdekje në mediat sociale.
Fotografia e tij dhe e pesë të tjerëve, plus të dhënat personale, u nxorën në posterët që shpërndau grupi Patrulla e Popullit.
Grupi i akuzon ata gjashtë për përfitime duke siguruar strehim të paligjshëm për migrantët.
“Ky është një qytet i vogël. Dhe, kur dikush ju etiketon kështu, kjo është një gjë e madhe”, thotë Sevo për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Qyteti i Somborit i ka rreth 80,000 banorë.
Policia tha se po heton ngjarjen, por, ndërkohë, Sevo u detyrua të mbyllë hotelin e tij.
Sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Serbia strehon aktualisht rreth 5,000 refugjatë dhe migrantë.
Ky vend ndodhet në të ashtuquajturën Rrugë Ballkanike, e cila përdoret nga migrantët dhe refugjatët që ikin nga konfliktet, vështirësitë dhe persekutimet.
Numri i migrantëve që hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian, duke kaluar Ballkanin Perëndimor, pothuajse është dyfishuar këtë vit, ka thënë në muajin gusht agjencia kufitare e BE-së, Frontex. Shumica e tyre janë nga Siria dhe Afganistani.
Në Sombor, jo shumë larg kufirit me vendet anëtare të BE-së, Kroacinë dhe Hungarinë, refugjatët dhe migrantët janë vendosur në një qendër shtetërore, që nuk ka kapacitet t’i përballojë numrat.
Bujtinat private, si ajo e Sevos, janë shtuar për të mbushur boshllëkun dhe kjo gjë nuk u pëlqen ekstremistëve të krahut të djathtë.
Ata kanë marshuar në Sombor dhe qytete të tjera të Serbisë gjatë vitit të kaluar dhe kanë kryer veprime të tjera, përfshirë kërcënimin e migrantëve, nxitjen e frikës dhe paragjykimeve, thonë vëzhguesit.
Sipas Sevos, gjatë vitit të kaluar, në hotelin e tij kanë qëndruar kryesisht njerëz nga Lindja e Mesme dhe Azia.
Posterët me fotografitë dhe të dhënat e atyre që Patrulla e Popullit i akuzon për përfitime nga kriza e migrantëve, u shfaqën në Sombor më 9 tetor.
Grupi ekstremist i përhapi akuzat e njëjta edhe në mediat sociale.
“Qytetarë të Somborit, këta janë fqinjët tuaj që ilegalisht u japin strehim migrantëve”, shkroi grupi në faqen e tij në Facebook, e cila ka më shumë se 43,000 ndjekës.
Kjo ka shkaktuar urrejtje, thotë Sevo. Ka pasur komente si “varini për pemë”, kujton ai.
Të tjerët i cilësuan ata si “tradhtarë”, duke thënë se ata “duhet të dëbohen nga vendi, së bashku me migrantët”.
Sevo thotë se shqetësimet e tij u rritën, pasi gruaja e tij filloi të merrte mesazhe kërcënuese edhe në mediat sociale.
“Fillimisht, nuk e mora seriozisht, por pas një kohe fillova të shqetësohem, sidomos për familjen time”, thotë ai.
Më 12 tetor, ata që u përmendën në posterë, paraqitën një raport - bashkë me detajet e kërcënimeve që kishin marrë në mediat sociale - në polici. Policia tha se ankesa e tyre do t'iu përcillet prokurorëve vendas.
“Tani ne jemi duke pritur për të parë nëse prokurorët do të ndërmarrin veprime”, thotë Sevo.
Ministria e Brendshme e Serbisë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një raport i tillë është pranuar nga policia në Sombor dhe se ai do t'i përcillet prokurorisë për “procedura të mëtejshme”.
Një ditë pasi u shfaqën posterët, Patrulla e Popullit organizoi një protestë. Me thirrjet “Ne nuk duam migrantë”, dhjetëra njerëz marshuan në rrugët e Somborit.
Aktivistët e krahut të djathtë janë duke përshkallëzuar një situatë tashmë të tensionuar në qytet, ku shumë migrantë detyrohen të flenë në parqe dhe gjetkë, për shkak të mungesës së strehimit.
“Ata po i keqtrajtojnë (refugjatët)... Kërkojnë arsye për t'i sulmuar ata”, thotë Sevo.
Bujtina e tij dhe të tjerat që ofrojnë strehime për migrantët, janë mbyllur nga policia, për shkak të presionit nga aktivistët e krahut të djathtë dhe për shkelje të ligjit serb.
Sipas ligjit në Serbi, vetëm migrantët që aplikojnë zyrtarisht për azil, mund të kenë ligjërisht strehim privat. Me shpresën për të arritur në ndonjë vend të BE-së, shumica e migrantëve nuk aplikojnë në Serbi.
Autoritetet duhet të marrin masa të forta për të kundërshtuar fushatën e nisur në Sombor nga Patrulla e Popullit, thotë Radosh Gjuroviq, anëtar i Qendrës për Ndihmë dhe Mbrojtje të Azilkërkuesve, me seli në Beograd.
“Shprehjet e tilla të paragjykimeve, madje edhe urrejtjes, janë të paligjshme dhe duhet të ndiqen penalisht”, thotë Gjuroviq.
Sipas tij, komunikimi i dobët midis zyrtarëve që drejtojnë qendrat e migrantëve dhe banorëve lokalë ka nxitur frikë dhe paragjykime.
Serbia ka 20 qendra refugjatësh - përfshirë atë në Sombor - që menaxhohen nga Komisariati Serb për Refugjatët dhe Migracionin.
Kjo agjenci nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar situatën në Sombor.
E ashtuquajtura Patrullë e Popullit daton nga viti 2020, kur u shfaq për herë të parë në disa qytete serbe, duke organizuar protesta kundër migrantëve dhe aksione të tjera.
Në shkurt të vitit 2020, Damjan Knezheviq postoi një video në mediat sociale, e cila tregonte një grup burrash që dukej se konfrontoheshin me një grup migrantësh dhe refugjatësh në qendër të Beogradit. Të parët u thoshin migrantëve se “do të kenë probleme nëse gratë dhe burrat serbë sulmohen”.
Edhe pse Ministria e Brendshme e Serbisë konfirmoi më vonë për Radion Evropa e Lirë se policia i ka përcjellë te prokurorët detajet e incidentit, Zyra e Prokurorit të Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për komente.