Ndërlidhjet

Kërkohen 850 milionë dollarë ndihmë për Afganistanin


Disa qytetarë afganë ikin nga vendi i tyre në drejtim të Pakistanit, për shkak të intensifikimit të luftimeve midis talibanëve dhe forcave qeveritare.
Disa qytetarë afganë ikin nga vendi i tyre në drejtim të Pakistanit, për shkak të intensifikimit të luftimeve midis talibanëve dhe forcave qeveritare.

Shefi i programit humanitar të Kombeve të Bashkuara në Afganistan, Ramiz Alakbarov, bëri thirrje për 850 milionë dollarë ndihmë për Afganistanin, që të përballojë ofensivën e militantëve talibanë dhe krizat e tjera.

Alakbarov tha se rreth 18 milionë afganë janë në nevojë dhe se Kombet e Bashkuara kanë në plan të sigurojnë ndihmë për së paku 15.7 milionë prej tyre.

Afganistani ka një popullsi prej rreth 38 milionë banorësh.

Alakbarov tha se thirrja aktuale e Kombeve të Bashkuara për Afganistanin është vetëm 37 për qind e financuar - me 450 milionë dollarë - dhe se Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh.

Ai tha se 850 milionë dollarët që po kërkohen, janë shumë të nevojshëm.

Duke folur para gazetarëve në Nju Jork, Alakbarov tha se përveç nevojës për para për t'u rikuperuar nga ofensiva e talibanëve, Afganistanit i duhen fonde për të luftuar edhe kequshqyerjen, thatësirat e mëdha dhe kthimin e 627,000 afganëve këtë vit - shumica e tyre të dëbuar nga Irani fqinj.

Alakbarov tha se në situatën aktuale, “gjithçka është sfidë” dhe se sëmundja COVID-19 “nuk e ka bërë më të lehtë”.

Përleshjet midis forcave qeveritare afgane dhe militantëve talibanë janë intensifikuar qëkur trupat ndërkombëtare kanë nisur tërheqjen zyrtare nga Afganistani, më 1 maj.

Talibanët kanë thënë së voni se luftëtarët e tyre kanë marrë nën kontroll 85 për qind të territorit afgan.

Kjo shifër kontestohet nga Qeveria dhe është e pamundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG