Zyrtarët e Kosovës e kanë dënuar si akt kriminal një sulm ndaj ndërtesës së Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës të enjten vonë, i cili ishte i dyti brenda dy ditëve ndaj institucioneve të vendit në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, pas sulmit me granata dore në një stacion policor.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se ndërtesa komunale u sulmua me mjet shpërthyes të enjten para mesnatës, i cili dyshohet se ishte “granatë dore e llojit M-75”.
Elshani theksoi se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim dhe se policia nuk ka identifikuar ende ndonjë të dyshuar për kryerjen e sulmit.
Sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së Komunës dhe katër automjeteve të parkuara aty pranë, ndërsa policia ka nisur hetimet tashmë, sipas Elshanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto sulme “janë akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë”, kur u pyet për sulmin të premten gjatë një ngjarjeje në Podujevë.
Por, ai nguli këmbë se gjendja e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës “kurrë nuk ka qenë më e mirë e sigurt se sa tani”.
“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë, ose strehohen diku edhe jashtë rajonit tonë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, apo të kërcënimit të sigurisë, të cilët nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta”, tha Kurti.
Në një postime në Facebook, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e fajësoi Serbinë për, siç tha, "dirigjimin" e bandave kriminale për kryerjen e sulmet të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri.
"Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë", shkroi Sveçla.
Ai e përsëriti se "koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep sikurse liria dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit".
Sulmi u dënua edhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se sulmet e tilla “nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqenien për të gjithë qytetarët tanë”.
“Mbrëmë grupe kriminale kanë sulmuar me granatë dore Komunën e Zveçanit. Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim”, shtoi ai.
Komuna e Zveçanit udhëhiqet nga një kryetar shqiptar prej fillimvitit 2023, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe i bojkotuan zgjedhjet komunale në prill të atij viti.
Të mërkurën, kuvendi komunal i Zveçanit e shënoi 28 Nëntorin - përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë - në një seancë solemne. Kjo është hera e parë që u shënua kjo ngjarje - e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë - në këtë komunë.
Kryetari i Komunës, Ilir Peci, e dënoi sulmin në një postim në Facebook, ku publikoi edhe fotografi që shfaqin dëmet që shkaktoi shpërthimi.
"Si kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit", tha Peci.
Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla.
Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.
Sulmi ndaj ndërtesës së Komunës të mërkurën vjen vetëm dy ditë pasi stacioni policor në këtë qytet verior u sulmua me dy granata dore nga persona të panjohur.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se në fshatin Izvor të Zveçanit po ndërtohej një nënstacion i ri policor.
Përfaqësuesit e komunitetit serb kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.