Ndërlidhjet

Blerina, dikur me një laptop, tashmë ndërmarrëse e suksesshme


Blerina Mati.
Blerina Mati.

Vetëm me një laptop në banesën e saj në Prishtinë, Blerina Mati në vitin 2018, kishte filluar punën online si konsulente për shërbime të marketingut. Blerina, 31-vjeçare, tashmë ka krijuar një biznes të konsoliduar. Madje gjatë kohës së pandemisë, ajo arriti të rriste edhe numrin e të punësuarve.

Blerina, e cila ka përfunduar studimet në degën e Marketingut në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës dhe degën e Menaxhmentit në kolegjin privat “Riinvest”, udhëheq një biznes me shërbime të marketingut.

Me dëshirë, vullnet dhe punë deri në 12 orë në ditë, ajo thotë se ka arritur të ketë klientë të të gjitha kategorive.

“Kam filluar me shërbime online qysh në vitin 2018. Fillimisht nuk kisha mjete të investoj në zyre dhe fillova vetëm me një laptop. E kisha edhe fazë testuese për veten time se a mund të operoj dhe a mund ta rris kompaninë në pikën ku unë dëshiroj. Dhe pas tre muajsh të operimit online, kam arrit të krijoj klientë dhe suksese”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Pas gjashtë muajsh, Blerina ka hapur zyre në qendër të Prishtinës dhe gjatë kësaj periudhe ka punuar e vetme.

“Mund të them se prej shërbimit të kafesë e deri të nënshkrimi i kontratave të mëdha, organizimin, administrimin, ndërmjetësimin me klientë, krejt i kam bërë vetë. Me partnerë të jashtëm është zbatimi i këtyre ideve, pa të cilët unë nuk do mundesha të kem aq shumë sukses”, tha ajo.

Ndërkaq, në shtator të vitit të kaluar, kur Kosova është përballur me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi dhe shumë biznese raportonin humbje dhe zvogëlonin numrin e punëtorëve, Blerina vendosi që të rrisë stafin e saj të punëtorëve. Tash është edhe në kërkim të një zyre me hapësirë më të madhe për operim.

Në pandemi rriti numrin e të punësuarve

Tashmë, përveç ekipeve të jashtme që angazhon në rast nevoje, ajo tregon se ka të punësuar tetë persona.

Blerina Mati.
Blerina Mati.

“Zyra jep këshilla, konsulta, krijon strategji, ide, hulumton, bënë analiza në aspektin e promovimit, pastaj implementimin e krijoj në bazë të sektorit, duke krijuar ekipe të jashtme kreative”, tha ajo.

“Për shembull, në qoftë se është sektor i ndërtimit, atëherë unë angazhoj një arkitekt, një dizajner i cili është pjesë e asaj bote. Në qoftë se është klient që prodhon çokollata, gjithsesi që do të angazhoj ekip kreative të asaj fushe”, shtoi Blerina.

Kompania e Blerinës ka klientë nga sektorë të ndryshëm dhe pandemia, thotë ajo, nuk ka ndikuar shumë në afarizmin e saj.

“Para pandemisë, kisha të siguruar një bazë të mirë të klientëve dhe kisha krijuar një lidhje të mirë me ta. Kështu që shërbimet online, asnjëri nga ta nuk i ka ndërprerë. Pandemia i ka ndërprerë aktivitetet e jashtme, si video-produksionet, investimet në reklamime. Pra, i gjithë koncentrimi ka qenë në reklamimin online”, thekson ajo.

“Shumicën e klientëve i kam kompani prodhuese, ushqimore dhe produktet higjienike”, shton Blerina.

Puna mund të tejkalojë sfidat

E përballur me sfidat e biznesit, por e përkushtuar dhe e vendosur në punë, Blerina thotë ka arritur qëllimet e saj, vetëm me investime vetanake dhe asnjë ndihmë nga institucionet e Kosovës.

“Është vështirë shkaku i shumë problemeve dhe ngecjeve që kemi si shtet. Por, momentin që kemi dëshirën, vullnetin dhe dashurinë për punë, mendoj se nuk mund të na ndalë asgjë”, thotë Blerina.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG