Ndërlidhjet

Ndalohet një afgan për sulmin me thikë në një ngjarje kundër “islamit politik” në Gjermani


Policia në vendin e ngjarjes kur u plagosën disa njerëz gjatë një sulmi me thikë në Manheim, Gjermani, 31 maj 2024.
Policia në vendin e ngjarjes kur u plagosën disa njerëz gjatë një sulmi me thikë në Manheim, Gjermani, 31 maj 2024.

Një gjykatë gjermane urdhëroi të shtunën arrestimin e një 25-vjeçari të lindur në Afganistan, nën dyshimin për tentim-vrasje pas një sulmi me thikë në një ngjarje të organizuar nga një grup kundër “islamit politik”, ku u plagosën gjashtë njerëz.

Në mesin e të plagosurve është edhe një zyrtar policor, pasi u ther derisa tentoi të ndërhynte për ta ndalur sulmin, thanë policia dhe prokurorët gjermanë në një komunikatë për media.

Zyrtarët gjermanë nuk kanë treguar për motivet e sulmit, i cili ndodhi të premten në qendër të qytetit Manheim.

I dyshuari ka jetuar në Gjermani prej vitit 2014, është i martuar dhe ka dy fëmijë, sipas njoftimit.

Banesa e tij në qytetin Hepenheim u bastis të premten mbrëma, ku policia mori pajisje digjitale dhe tani po e vlerëson përmbajtjen e tyre.

Zyrtarët thanë se i dyshuari, i cili u qëllua dhe u plagos nga policia, po mjekohet në spital dhe nuk është në gjendje për t’u marrë në pyetje. Policia tha se ai nuk ka të kaluar kriminale.

Ata nuk e kanë zbuluar shtetësinë e tij, apo statusin e emigracionit, e as nuk kanë treguar se si kishte ardhur ai në Gjermani.

Grupi Pax Europa, e përshkruan veten si një organizatë e cila e njofton publikun për rreziqet që vijnë nga “përhapja e shpejtë dhe ndikimi i islamit politik”.

Michael Sturzenberger, një aktivist kundër islamit, i cili është ndër figurat kryesore të grupit dhe foli në ngjarjen e së premtes, është në mesin e të plagosurve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG