Një fotoreporter që ka punuar në Afganistan gjatë sundimit të talibanëve nga vitit 1996 deri më 2001 thotë se fuqizimi i sërishëm i urdhrit të grupit pas rimarrjes së pushtetit, për ndalimin e imazheve të njerëzve dhe kafshëve, është i pamundur të zbatohet sot.
Në vitet 1990, fotoreporteri afgan, i cili kërkoi të mos i zbulohej identiteti për shkak të lidhjeve të tij të vazhdueshme me vendin, kujton se “fotografitë ishin krejtësisht të ndaluara. Talibanët i ndaluan ato. Edhe nëse do të kishte një konferencë shtypi apo diçka tjetër, ata thoshin, 'Nuk mund të bësh fotografi’”.
Por, gjatë epokës së parë talibane, në të cilën dënimet mund të ishin të rënda edhe për shkeljet më të vogla, fotografimi i njerëzve ishte ende një dukuri e rregullt dhe e rrezikshme për fotoreporterin, së bashku me një numër të vogël të kolegëve të tij afganë që punonin për agjencitë perëndimore të lajmeve.
“Ne kishim kamera të vogla dhe kur shkonim për të bërë kronika, shkonim diku ku nuk kishte më talibanë, bënim një ose dy shkrepje, pastaj largoheshim shpejt”, thotë ai. “Ishte si 'fotografim vjedhurazi'”.
Gjatë epokës së parë të talibanëve, tha ai, një pjesë e vogël e fotoreporterëve vendas “duhej të përpunonin filmin duke përdorur kimikate. Ishte shumë e ndërlikuar”.
Sot, megjithatë, “të gjithë kanë telefona; është digjitale”.
Madje, fotoreporteri veteran tha: “Vetë talibanëve u pëlqen të shikojnë në Facebook. Ata kanë WhatsApp. Do të jetë shumë-shumë e vështirë ta ndalosh atë” pasi brezi i ri i talibanëve “është rritur me internetin”.
Fotografi u shpreh se ai ishte ndaluar disa herë derisa bënte foto gjatë sundimit të parë të talibanëve. Një nga kolegët e tij u burgos brenda natës pasi fotografoi një burrë që doli të ishte një ekstremist i huaj nga një shtet arab, i cili u hodh për të arrestuar fotografin dhe e çoi atë në policinë e “vesit dhe virtytit” të talibanëve.
Kishte të tillë brenda udhëheqjes së talibanëve që, me sa duket, mbyllën njërin sy ndaj ndalimit të imazheve që shfaqnin njerëz dhe kafshë gjatë viteve 1990.
“Fotografitë e mia u publikuan shumë herë në një gazetë pakistaneze dhe të nesërmen gazeta do të dërgohej nga Pakistani në [Ambasadën pakistaneze në] Kabul”, tha fotoreporteri. “Talibanët mund të më kishin telefonuar dhe të më pyesnin, ‘Pse bëre foto të tilla?’ Por, këtë nuk e bënë asnjëherë”.
Por, shton ai, “në terren, absolutisht nuk lejohej fotografimi”.
Për njerëzit e zakonshëm, kënaqësia që përjetonin nga zbavitja e paligjshme gjatë viteve 1990 ishte e zakonshme, por edhe nervozuese si përvojë.
“Njerëzit shikonin TV dhe dëgjonin kaseta muzikore, por shumë fshehurazi. Ata uleshin në bodrume ose diku dhe mbyllnin plotësisht dritaren”, kujtoi ai.
Fotoreporteri tha se ngritja në pushtet për herë të dytë e talibanëve ka qenë relativisht e butë në krahasim me të parën, por “pak nga pak, era – era e keqe –po kthehet”, dhe iu referua mbylljes së fundit të stacioneve televizive në veri të Afganistanit që të mos shfaqnin imazhet e njerëzve.
Udhëheqja talibane në qytetin themelues të grupit, Kandahar, është “shumë ekstremiste”, deklaroi ai, megjithëse disa padyshim janë ndryshuar nga ajo që kanë parë për prosperitetin në botën e jashtme, diçka që gjenerata e parë e udhëheqjes së talibanëve nuk e kishte përjetuar kurrë.
“Këta talibanë në vitet e fundit kanë qenë në Katar, Iran, Pakistan, Indi dhe kanë parë se sa e bukur është bota jashtë Afganistanit. Kur [themeluesi i talibanëve] Mullah Omar mori pushtetin [më 1996], ata erdhën direkt nga medresetë dhe morën Kabulin, por pas luftës civile, u shkatërrua plotësisht, s’kishte televizorë, s’kishte gjë”.
Kësaj radhe, tha fotoreporteri, “talibanëve iu dha një Kabul i bukur me ndërtime, automjete të bukura, restorante, ndërtesa. Gjithçka ishte në nivel shumë më të lartë se ajo që panë talibanët e mëparshëm”.