Ndërlidhjet

Shefi i NATO-s i kërkon Putinit ta rishqyrtojë pezullimin e traktatit të armëve


Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kërkuar Rusisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e pjesëmarrjes në traktatin me Shtetet e Bashkuara që kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dyja palëve.

Në fjalimin e 21 shkurtit drejtuar kombit, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se është “i detyruar të njoftoj se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”.

Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.

I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021.

I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.

Stoltenberg tha se Rusia po përgatitet për eskalim të luftës, e jo për paqe.

Ai tha se NATO po planifikon që të mbajë një takim me ekspertë të prokurimit të armëve për t'u siguruar që Ukraina do t'i ketë armët që i nevojiten.

Diplomatët e lartë të Bashkimit Evropian paralajmëruan të hënën se duhet të gjenden mënyra për të ofruar shpejt mijëra predha artilerie për Ukrainën ose BE-ja do të duhet të përballet me mundësinë e humbjes së luftës kundër Rusisë.

Javën e kaluar, Stoltenberg tha se koha e pritjes për furnizimin e “municioneve të kalibrit të madh është rritur nga 12 në 28 muaj”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve të tij perëndimorë që të shpejtojnë mbështetjen e tyre ushtarake, duke paralajmëruar se vonesat do të jenë në dobi të Rusisë tani që po afrohet përvjetori i parë i nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.

NATO beson se Rusia ka nisur një ofensivë të re në javët e fundit, duke rritur intensitetin e sulmeve në Ukrainën lindore, ndërkohë që edhe po shton forcat në pjesën jugore. Zyrtarët kanë thënë se Ukraina ka të ngjarë të nisë kundërofensivën e saj në pranverë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG