Ndërlidhjet

NATO nuk e di se si duket plani i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë


Admiral James Foggo, komandant i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli
Admiral James Foggo, komandant i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli

NATO është e lumtur që Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialog për çështjet e pazgjidhura, por aleanca më e madhe ushtarake në botë, nuk e di se si duket plani i negociatave, ka thënë një nga komandantët e NATO-s, James Foggo, i cili është duke qëndruar në Kosovë.

Admirali James Foggo, komandant i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli i shoqëruar edhe nga gjeneral major Salvatore Cuoci, komandant i KFOR-it kanë vizituar Manastirin dhe Komunën e Deçanit.

Foggo tha se presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq janë zgjedhur me votë demokratike dhe ata përfaqësojnë shumicën në vendet e tyre.

“Unë nuk e di se si duket plani i tyre, por ata janë zyrtarët që i keni zgjedhur ju. Demokraci ka në të dy anët e kufirit, në Kosovë dhe Serbi dhe ata janë zyrtarët tuaj të zgjedhur me votë të lirë dhe këta zyrtarë përfaqësojnë interesat e shumicës në të dyja vendet”, tha Foggo gjatë një vizite në Komunën dhe Manastirin e Deçanit.

“Unë jam i lumtur që dialogu është duke vazhduar dhe se presidenti Vuçiq dhe Thaçi po ashtu janë në dialog me Brukselin. Si ushtarakë që jemi, që prezantojmë NATO-n dhe KFOR-in, as unë dhe as gjenerali i KFOR-it Cuoci nuk jemi në dhomë kur mbahen këto negociata mes Thaçit dhe Vuçiqit”, theksoi ai.

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë të mbajtur në fundjavë, kanë folur së bashku për herë të parë se ndryshimi i kufijve është opsioni më real për arritje të marrëveshjes mes dy vendeve.

Të dy presidentët pritet që më 7 shtator të takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun politik që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini.

Admirali amerikan tha se NATO ka trupa të mjaftueshëm në Kosovë për ta ruajtur paqen.

“Ne kemi një forcë të madhe në Kosovë me mbi 4,000 burra dhe gra dhe kudo ne jemi me ju dhe do ju mbështesim për një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë në këtë vend derisa mandati ynë të ekzistojë”, tha ai.

Gjatë vizitës në Komunën e Deçanit, Admirali Foggo ka thënë se janë pajtuar me kryetarin e komunës dhe zyrtarët të Kishës Ortodokse që punimet për ndërtimin e rrugëve në këtë komunë të bëhen sipas ligjit. Foggo ka kërkuar që për çdo projekt infrastrukturor të kihet parasysh ligji për Zona të Veçanta të Mbrojtura.

Paqeruajtësit e KFOR-it, mision ky i udhëhequr nga NATO, kanë arritur në Kosovë në vitin 1999 pas mbarimit të luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG