Ndërlidhjet

Diplomatët e NATO-s diskutojnë për “thellimin e lidhjeve” të Hungarisë me Rusinë


Kryeministri hungarez, Viktor Orban (majtas) me presidentin rus, Vladimir Putin, pas një takimi në Pekin.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban (majtas) me presidentin rus, Vladimir Putin, pas një takimi në Pekin.

Ambasadorët e NATO-s janë takuar të enjten në Budapest, teksa rriten shqetësimet për lidhjet e Hungarisë me Rusinë, pas bisedimeve në mes të kryeministrit hungarez, Viktor Orban me presidentin rus, Vladimir Putin, më herët gjatë javës.

Ambasadori amerikan në Hungari, David Pressman, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se diplomatët kanë “shqetësime për sigurinë” lidhur me “thellimin e lidhjeve” në mes të Rusisë dhe Hungarisë, vend anëtar i NATO-s dhe BE-së.

Ambasadorët, përfshirë një përfaqësues të Suedisë – vend që pret të anëtarësohet në NATO – janë mbledhur në kryeqytetin hungarez, disa ditë pasi Orban është takuar me Putinin në një forum në Kinë, ku kanë diskutuar për bashkëpunim bilateral lidhur me gazin natyror dhe transportim të naftës së papërpunuar.

“Është shqetësuese që Hungaria ka vendosur të kontaktojë me Putinin në këtë mënyrë”, ka thënë Pressman.

“Ne e shohim Hungarinë si aleate, mirëpo në të njëjtën kohë se e shohim që Hungaria është duke i thelluar lidhjet me Rusinë, pavarësisht luftës së saj brutale me Ukrainën”, ka shtuar ai.

Pressman ka thënë, po ashtu, se Uashingtoni pret që këto “shqetësime legjitime për sigurinë” të trajtohen me seriozitet nga Qeveria hungareze.

Orban është lideri i parë i një vendi të BE-së që është takuar me Putinin, prej kur Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestim që e akuzon presidentin rus për krime lufte, lidhur me dëbimin e fëmijëve ukrainas në Rusi.

Ditë më parë, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto e ka vizituar Moskën, teksa ka marrë pjesë në një forum për energjinë, dhe ka thënë se Budapesti nuk synon që t’i zvogëlojë blerjet e naftës ruse përmes gazsjellësit Druzhba, ndonëse BE-ja e ka sanksionuar sektorin e naftës ruse.

Orban ka folur hapur kundër sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë - të vëna si përgjigje ndaj luftës së nisur në Ukrainë - dhe e ka kundërshtuar planin për të ofruar më shumë ndihmë për Ukrainën.

Në takimin e fundit me Putinin, Orban raportohet t’i ketë thënë liderit rus se është shumë e rëndësishme për gjithë Evropën, përfshirë Hungarinë, që të ndalen valët e refugjatëve, sanksionet dhe luftimet.

Forcimi i lidhjeve të Orbanit me Rusinë, ka rezultuar me tensionim të marrëdhënieve të këtij shteti me aleatët e NATO-s dhe BE-së.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 20222.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG