NATO-ja ka thënë se do të vazhdojë trajnimin e forcave afgane të sigurisë jashtë Afganistanit, pasi trupat ndërkombëtare të tërhiqen nga ky shtet në muajin shtator.
“Teksa i japim fund prezencës ushtarake, ne jemi duke hapur një kapitull të ri”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg para gazetarëve në Paris, pas bisedës që ka zhvilluar me presidentin francez Emmanual Macron.
Stoltenberg ka thënë se roli i ri i NATO-s do të përfshijë dhënien e “këshillave dhe ndërtimin e kapaciteteve mbështetëse për institucionet afgane të sigurisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme financiare”.
Ai ka thënë se NATO-ja po ashtu planifikon “që të ofrojë edukim ushtarak dhe trajnim jashtë Afganistanit, duke u fokusuar në Forcat e Operacioneve Speciale”.
Ende nuk është bërë e qartë se për çfarë trajnime ka folur Stoltenberg.
Ekzistojnë shqetësime se talibanët ka mundësi që të tejkalojnë kapacitetet e forcave afgane të sigurisë, të cilat varen nga inteligjenca dhe mbështetja ajrore e NATO-s, pas tërheqjes së trupave të huaja.
Talibanët kanë nisur ofensiva masive në veri dhe jug të Afganistanit, prej nisjes së tërheqjes së trupave të huaja më 1 maj, duke pushtuar kështu distrikte.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të vazhdojnë të ofrojnë përkrahje për Qeverinë afgane të përkrahur nga Perëndimi, përmes financimit të ushtrisë por edhe mbështetjes së ofruar nga bazat amerikane qindra milje larg.