Ndërlidhjet

Zbulohet rrjedhje në naftësjellësin rus


Stacioni i naftësjellësit Druzhba në Hungari. Fotografi nga arkivi.
Stacioni i naftësjellësit Druzhba në Hungari. Fotografi nga arkivi.

Në naftësjellësin rus Druzhba është zbuluar një rrjedhje, njoftuan zyrtarët. Ky tubacionin lidh Rusinë dhe Gjermaninë, por zyrtarët thanë se nuk dyshojnë për sabotim.

PERN, që është operatori i seksionit të tubacionit në Poloni, ku u gjet rrjedhja, tha përmes një deklarate më 12 tetor se naftësjellësi është mbyllur përkohësisht.

“Shkaku i incidentit nuk është i njohur për momentin. Pompimi në linjën e prekur është ndërprerë menjëherë. Linja e dytë e tubacionit po funksionon normalisht”, tha PERN, duke shtuar se rrjedhja u zbulua në orët e vona të 11 tetorit.

Zbulimi i rrjedhjes në tubacionin kryesor që bart naftë në Gjermani, vjen në kohën kur shqetësimet janë rritur lidhur me furnizimet e energjisë në Evropë. Kjo pasi tubacionet e Rrjedhës Veriore, që kalojnë nën Detin Baltik, pësuan rrjedhje, të cilat sipas zyrtarëve në Perëndim dhe Rusi, janë shkaktuar nga sabotimi.

Evropa po ashtu përballet me krizë të rëndë të energjisë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Moska ka ndërprerë furnizimet e energjisë për shumë shtete evropiane.

Mateusz Berger, zyrtar i lartë në Poloni që është përgjegjës për infrastrukturën e energjisë, tha për Reuters se nuk ka dyshime se rrjedhja është shkaktuar nga sabotimi.

“Në këtë rast mund të flasim për një dëm aksidental”, tha ai.

Naftësjellësi Druzhba është një prej naftësjellësve më të mëdhenj në botë, që furnizon me naftë ruse shumicën e Evropës Qendrore, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Bjellorusinë, Hungarinë, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Austrinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG