Ndërlidhjet

Çfarë do të thotë çmimi negativ i naftës?


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Ekonomia globale pësoi një tjetër goditje të paparë, pasi izolimi nga koronavirusi në gjithë botën shkaktoi rënie historike të çmimeve të naftës së papërpunuar në Shtetet e Bashkuara.

Për herë të parë në histori, çmimi ra nën zero dollarë për fuçi.

Kjo ndodhi, pasi pandemia e koronavirusit uli kërkesën globale për naftë, duke krijuar tepri të furnizimeve dhe duke i mbushur depot.

Tregtarët tani kanë vështirësi të gjejnë blerës për të blerë kontratat e naftës së papërpunuar për muajin maj ose qershor. Dhe, kjo i ka shtyrë çmimet teposhtë.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent në Detin Verior ra të martën për afro 12 dollarë për fuçi, për dërgesat e qershorit. Ajo u shit për vetëm 17 dollarë për fuçi, që është çmimi më i ulët në 18 vjet.

Kjo po ashtu është një rënie prej më shumë se 60 për qind nga kulmi i janarit të këtij viti.

Nafta Brent - pikë reference për Evropën - është më e lirë dhe më lehtë për t’u transportuar sesa nafta e SHBA-së, sepse Brent nxirret direkt nga Deti Verior.

Çmimi i naftës West Texas Intermediary (WTI), që është pikë reference për Shtetet e Bashkuara, ra të hënën nën zero, për herë të parë në histori. Dërgesat për muajin maj u shitën për minus 40 dollarë për fuçi.

Kjo do të thotë se prodhuesit duhet t’i paguajnë blerësit për të marrë naftën e tyre të papërpunuar, që ata nuk mund ta shesin dhe nuk kanë ku ta ruajnë.

Çmimi i WTI-së u rikuperua pak të martën, duke u shitur për rreth 1 dollarë për fuçi në tregtimin e pasdites së vonë.

Çfarë është kontrata e naftës?

Kontrata e naftës është një marrëveshje ligjore e tregtarëve për të blerë ose shitur naftë, për një çmim të caktuar, në një datë të caktuar në të ardhmen.

Ata që hyjnë në kontrata të tilla janë të detyruar që ta realizojnë marrëveshjen me çmim dhe datë të caktuar.

Kjo do të thotë se tregtarët, në njëfarë mënyrë, vënë bast se cili do të jetë çmimi i naftës në të ardhmen.

Ata shpresojnë të përfitojnë nga diferenca midis çmimit të specifikuar në kontratën e tyre dhe çmimit aktual të naftës, në kohën kur vjen zbatimi i kontratës.

Si mund të jetë çmimi i naftës negativ?

"Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, madje as afër", thotë Tim Bray, menaxher në kompaninë e investimeve GuideStone Capital Management në Dallas të Teksasit.

"Ne kurrë nuk kemi parë një çmim negativ në një kontratë të naftës".

Çmimi negativ i WTI-së sugjeron se janë tregtarët që kanë blerë kontrata për muajin maj, ata të cilët po ofrojnë të paguajnë dikë tjetër për t'u marrë me naftën që do të dorëzohet muajin e ardhshëm.

Por, shumë analistë e përshkruajnë çmimin negativ të naftës si teknik, duke thënë se është i lidhur me mënyrën e shkrimit të kontratave.

Ata vërejnë se shumica e blerësve blejnë naftë për qershor dhe jo për maj.

Strategu i energjisë, Ryan Fitzmaurice, nga kompania Rabobank me seli në Holandë, thotë se çmimet negative të naftës janë "më shumë teknike dhe kanë të bëjnë me skadimin e kontratave".

“Mund të shohim incidente të izoluara, kur kompanitë e naftës u paguajnë njerëzve që të marrin naftën e tyre, por një gjë e tillë nuk ka gjasa të ketë bazë të qëndrueshme", thotë Fitzmaurice.

Brent është tregtuar të mërkurën për 15.98 dollarë për fuçi, që është çmimi më i ulët qysh në qershor të vitit 1999.

Analistët parashikojnë që çmimet të vazhdojnë të bien, sepse prodhimi i naftës ka të ngjarë të tejkalojë kërkesën për muajt e ardhshëm.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG