Ndërlidhjet

Musk konfirmon funksionalizimin e Starlink-ut në Kosovë - çfarë do të thotë kjo?

E përditësuar

Terminal i Starlink-ut, i vendosur në një rajon rural të Brazilit.
Terminal i Starlink-ut, i vendosur në një rajon rural të Brazilit.

Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi të shtunën vonë se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, është funksional tani edhe në territorin e Kosovës.

Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, shkroi në X: “Starlink tani edhe në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se ardhja e Starlink-ut është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend.

“Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare”, tha ai në Facebook.

Në tetor, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e kishte autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.

Çfarë do të thotë kjo?

Me Starlink-un Kosova do të përfitojë internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme.

Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.

Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.

Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, kishte thënë në nëntor për Radion Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un ishte hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.

Kush përfiton më së shumti nga shtrirja e Starlink-ut në Kosovë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00



“Autorizimi i Starlink-ut ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudhë konfliktesh. Kjo, për faktin se pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në kohë lufte apo katastrofash natyrore në Tokë”, ka thënë Duraku - Rizaj.

Ajo beson se kjo përparësi mund të shfrytëzohet nga bizneset dhe nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, të cilat menaxhojnë infrastrukturë kritike.

Si funksionon?

Porositjen e shërbimeve do të mund ta bëjë secili në faqen e Starlink-ut, duke kërkuar adresën më të afërt.

Pas porosisë, Starlink-u do t’ia dërgojë klientit pajisjen marrëse, e cila lidhet me satelitët në hapësirë.

Rrezarta Duraku Rizaj tregoi asokohe se marrësi i përdoruesit është i vogël, portativ dhe mund të përdoret në lokacione të ndryshme, si për shembull në mal, në terrene të vështira, e vende të tjera ku nuk ka qasje të mirë në internet.

Përcaktimi i çmimeve do të bëhet varësisht prej fuqisë blerëse lokale të secilit shtet.

“Tarifimi përbëhet nga dy komponentë: blerja e hardverit në fillim, terminali me pajisjet përcjellëse që blihen një herë, dhe një tarifë mujore që do të varet nga planet e shërbimit që janë të disponueshme në faqen e internetit”, tregoi ajo.

Shpejtësia e internetit që ofron Starlink-u është 120 deri në 250 megabit për sekondë (mbps), varësisht se a bëhet fjalë për plane individuale apo për biznese.

Operatorët në Kosovë, aktualisht, mundësojnë internet më të shpejtë. Ekonomive familjare u ofrohet internet deri në 500 mbps në kuadër të pakove të kombinuara me shërbime televizive, me çmime deri në 35 euro.

Darsej Rizaj e pranon që sa i përket shpejtësisë, Starlink-u nuk iu bën konkurrencë operatorëve lokalë, por është plan i mirë rezervë, në rast të dështimit të linjave tokësore.

Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.

Vendimi i Muskut për të mbuluar Ukrainën me internet ishte konsideruar jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG