Dëmet e shkaktuara te civilët nga përdorimi i ri i municioneve thërrmuese dhe transferimet e fundit të armëve tregojnë nevojën urgjente që të gjitha shtetet t’i bashkohen ndalimit ndërkombëtar të municioneve thërrmuese, tha organizata Human Rights Watch në raportin “Monitorimi i municioneve thërrmuese 2023” të publikuar më 5 shtator.
“Municionet thërrmuese janë armë të neveritshme që janë të ndaluara globalisht pasi shkaktojnë dëme dhe vuajtje të menjëhershme dhe afatgjata te civilët”, tha Mary Wareham, drejtoreshë për mbrojtje nga armët në Human Rights Watch dhe redaktore e raportit të ri.
“Është e pandërgjegjshme që civilët ende të vdesin nga sulmet me municione thërrmuese 15 vjet pasi këto armë janë shpallur të paligjshme”, shtoi ajo.
Municionet thërrmuese mund të gjuhen nga toka me artileri, raketa, predha mortajash apo të hidhen nga avionët. Ato zakonisht shpërthejnë në ajër, duke shpërndarë bomba të shumta më të vogla në një zonë të gjerë. Shumica e bombave më të vogla që lëshohen nga këto armë dështojnë që të shpërthejnë menjëherë, por ato mund të shkaktojnë lëndime dhe të vrasin pa dallim për vite me radhë. Sikurse minat tokësore, ato duhet të pastrohen dhe shkatërrohen.
Gjatë vitit 2022, 95 për qind e viktimave nga municionet thërrmuese ishin civilë, u tha në raport. Sulmet me municione thërrmuese vranë ose plagosën të paktën 987 persona më 2022 dhe 890 prej viktimave ishin në Ukrainë.
Rusia vazhdimisht ka përdorur municione thërrmuese në Ukrainë që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij shteti më 24 shkurt 2022, duke shkaktuar vdekje dhe lëndime në mesin e civilëve. Forcat ukrainase po ashtu kanë përdorur municione thërrmuese që kanë rezultuar në viktima në mesin e civilëve, u tha në raport.
Sipas raportit të HRW, ushtria në Mianmar – shtet që njihet edhe si Birmani – dhe forcat e Qeverisë siriane përdorën municionet thërrmuese më 2022, duke shkaktuar dëme të mëtejme në mesin e civilëve. Asnjëra nga këto shtete është nënshkruese apo ka ratifikuar traktatin ndërkombëtar për ndalimin e municioneve thërrmuese.
Në raportin për monitorimin e municioneve thërrmuese nuk është regjistruar ndonjë viktimë nga sulmet me municionet thërrmuese më 2021, por janë identifikuar të paktën 149 viktima që vdiqën nga mbetjet e sulmeve të mëhershme me municione thërrmuese, kryesisht nga bombat e pashpërthyera. Më 2022, janë regjistruar të paktën 185 viktima nga mbetjet e municioneve thërrmuese në Azerbajxhan, Irak, Laos, Liban, Siri, Ukrainë dhe Jemen. Shtatëdhjetëenjë për qind e të gjitha viktimave nga mbetjet e municioneve thërrmuese kanë qenë fëmijë.
Rusia ka përdorur stoqe të municioneve të vjetra thërrmuese dhe të armëve të reja në Ukrainë më 2022 dhe në gjysmën e parë të vitit 2023. Në korrik të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në Ukrainë një sasi të paspecifikuar nga stoqet e saj të municioneve thërrmuese për artileri. Të paktën 21 liderë dhe zyrtarë qeveritarë, përfshirë edhe të shteteve që përkrahin përpjekjet e luftës së Ukrainës, kanë kritikuar Qeverinë amerikane për transferimin e këtyre armëve, u tha në raport.
“Pengesa më e madhe për shtetet që punojnë për shfarosjen e municioneve thërrmuese janë qeveritë që nuk duan t’i bashkohen konventës dhe që munojnë parimet e saj duke përdorur apo transferuar armë të tilla”, tha Wareham.
Njëqindedymbëdhjetë shtete kanë ratifikuar Konventën për Municione Thërrmuese të vitit 2008 dhe 12 të tjera e kanë nënshkruar atë.
Që nga viti 2008, shtetet që kanë nënshkruar konventën, kanë shkatërruar pothuajse 1.5 milion municione thërrmuese dhe 178.5 milionë mbetje të këtyre municioneve, shifra që paraqesin 99 për qind të stoqeve të deklaruara të municioneve thërrmuese.