Ndërlidhjet

Mungesa e kuorumit mban peng punën e Kuvendit


Kuvendi i Maqedonisë, foto arkiv
Kuvendi i Maqedonisë, foto arkiv

Kuvendi i Maqedonisë, pas një pauze prej më shumë se dy javësh, të martën ka vazhduar punimet. Por, seanca parlamentare i ka ngjasuar një beteje të ashpër për mbledhjen e numrave të deputetëve për të pasur kuorum, për shkak të mungesës së deputetëve të partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE-së .

Bojkoti i VMRO-DPMNE-së vjen si rrjedhojë shprehjes së revoltës për burgosjen e deputetëve të kësaj partie, të cilët akuzohen për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të vitit të kaluar.

Grupet punuese të deputetëve të socialdemokratëve të kryeministrit Zoran Zaev dhe VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, larg syve të opinionit po zhvillojnë takime për të arritur ujdi për kalimin e ligjeve për realizimin e reformave të njohur si plani 3-6-9, por askush nuk dëshiron të thotë me saktësi se si rrjedhin bisedimet dhe nëse do të jetë e mundur arritja e një ujdie.

Antonio Milloshovski nga VMRO për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se deputetet e partisë që përfaqëson, do të mbeten jashtë Kuvendit. Ai ka thënë se do të jetë vetëm ai prezent në momentin që në rend dite të vendoset propozimi i tij për emërimin e anëtarëve të ri të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, duke shtuar se Maqedonia është shteti i vetëm në botë që funksion pa këtë organ të rëndësishëm zgjedhor.

“Vetëm nëse shumica parlamentare krijon kushte për sundimin e shtetit ligjor, sjellje konstruktive dhe arritjen e një konsensusi nacional, atëherë ne do të kishim vendosur për të marrë pjesë në punën e Parlamentit dhe të kontribuojmë në miratimin e disa ligjeve sistematike”.

“Por, përderisa masa e paraburgimit përdoret si masë për të dënuar një strukturë politike dhe marrëveshjet politike kanë për qëllim të keqpërdorin punën e Parlamentit, duke u shtuar shenjën evropiane, siç është Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe shumë shkeljeve të tjera në kuadër të Parlamentit, mbetemi jashtë punës së Parlamentit, përpos kur në procedurë parlamentare do të kthehet Ligji për përdorimin e gjuhëve”, tha Milloshovski.

Përplasje për mungesë të deputetëve në sallën e Kuvendit ka pasur edhe mes partive politike shqiptare.

“Absolutisht e vërtetë që përgjegjësia për sigurimin e kuorumit për mbajtjen e seancave plenare i takon shumicës parlamentare”, ka thënë deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi. Megjithatë, ai ka shtuar se “duke pasur parasysh se shumica parlamentare reformuese është e brishtë dhe mund të ketë deputetë të cilët kanë pësuar aksidente apo janë të sëmurë, atëherë ata mund të zëvendësohen me parti të tjera, të cilat i përkrahin reformat”.

Por, deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli është kundërpërgjigjur, duke thënë se populli nuk e ka votuar të shtyp pullën e votimit sa herë t’i teket shumicës parlamentare, por të përkrah reformat që janë në interes për shqiptarët.

“Unë si Fadil Zendeli, si deputet i Lëvizjes Besa në Kuvend, nuk jam makineri votuese e asnjërës parti politike, as e shumicës e as e ndonjë grupi tjetër. Unë votoj sipas bindjeve të mia”, ka thënë deputeti Zendeli.

Njohësit e çështjeve politike thonë se Kuvendi duhet zhbllokohet sepse afatet për realizimin e reformave janë tejkaluar.

“Bllokimi i punës së parlamentit mund të bëhet përmes një marrëveshje të partive politike, përkatësisht krerëve të partive parlamentare ose duhet gjetur ndonjë zgjidhje teknike”,thotë Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.

Kriza mbledhjes së kuorumit prej 61 deputetëve është evidente pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria e Zoran Zaevit, pasi kësaj partie iu morr Ministria e Shëndetësisë, të cilën e drejtonte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG