Ndërlidhjet

Mungesa e barnave i shtyn pacientët t’i blejnë vetë ato


Ilustrim
Ilustrim

Përkundër deklaratave të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë se muajin e fundit furnizimi me barna dhe material shpenzues është përmirësuar, pacientët thonë se për shkak të mungesave, ata po i blejnë vetë barnat.

Burim Ferizi nga Prishtina, ka disa muaj që insulinën, ilaç ky që shërben për pacientët me diabet, po e blen për nënën e tij e cila vuan nga kjo sëmundje.

Kostoja financiare për një pacient me diabet që shpenzon për një muaj, për shkak të mungesës së saj në institucionet publike shëndetësore, është rreth 100 euro.

“Mua më duhet që ta blej insulinën për nënën për më shumë se një muaj. Një dozë e ka marrë para një jave, vetëm një lloj të insulinës, do të thotë ka pasur në Qendër të Mjekësisë Familjare. Ka qenë vetëm një lloj në dispozicion, derisa atë që e merr në mbrëmje e kemi blerë vetë. Por, çmimi i insulinës që ka qenë 5 euro në shitje, prej kohës kur mungojnë barnat në institucionet publike shëndetësore është rritur në 8,20 euro nëpër barnatore”.

“Unë kam mundësi ta blejë, por ka njerëz që për ta është shumë e shtrenjtë, sepse nëse llogaritet në të holla i bie që diku rreth 100 euro në muaj blejnë insulinë njerëzit me diabet. Pra, është shumë e lartë, sidomos për ata që janë në pension, kur dihet sa të holla marrin nga pensioni’’, tha Ferizi.

Por, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka raportuar sot para Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, duke treguar për përmirësimin e furnizmit me barna dhe stabilizimit të gjendjes që është arritur.

“Në fund të vitit 2017, 70 për qind e barnave kanë qenë pa kontratë. Sot kemi 65 për qind të barnave me kontrata, 24 për qind janë në procedurë dhe kemi tërësisht një situatë tjetër në sektorin shëndetësor”, ka thënë ministri Ismaili.

Ai ka shtuar se tani janë marrë të gjitha masat që furnizmi të stabilizohet dhe të ndërpritet avazi i vjetër i keqmenaxhimit. Madje, Ismaili ka thënë se sot të gjithë mund të jenë ngapak më shumë krenar, për instalimin e një qeverisjeje të re në Ministri të Shëndetësisë.

“Konsideroj se sot kemi arritur një model të ri të qeverisjes në Ministri të Shëndetësisë. Edhe kemi ndërprerë një avaz të vjetër të keqmenaxhimit edhe kemi më shumë furnizim me barna. Madje, edhe po kursejmë buxhetin e shtetit. Vetëm në 30 produkte, kemi kursyer rreth një milion euro të buxhetit me metodat e reja të blerjes së barnave”, ka thënë ai.

Ismaili ka treguar se gjatë një jave në muajin qershor janë nënshkruar rreth 50 kontrata të reja për furnizim me barna dhe aktualisht, sipas tij, kemi hyrë në fazën e fundit të nënshkrimit të të gjitha kontratave për barna dhe material shpenzues, të cilat shumica janë kontraktuar me çmime më të lira sesa kontratat paraprake.

Në anën tjetër Drita Mekuli, endokrinologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka potencuar faktin se muajin e fundit janë furnizuar me insulinë, derisa thotë se që nga viti 2017, insulina ka munguar.

“Mungesat e insulinës kanë qenë nga nëntori i vitit 2017. Unë në klinikë vazhdimisht përmes donacioneve e kam siguruar për pacientët insulinën. Por, muajin e fundit jemi furnizuar me insulinë. Sa i përket Qendrës Klinike Universitare kemi furnizim të rregullt me insulinë që nga muaji i kaluar”, është shprehur Mekuli.

Sidoqoftë, kërkesat nga viti në vit për barna në përgjithësi, por në veçanti për insulinën ka qenë në rritje.

Në vitin 2017, janë kërkuar nga institucionet publike shëndetësore që të sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë për pacientët 177. 050 njësi, derisa në vitin 2018 kanë qenë 554.932 njësi insulinë, që janë kërkuar për pacientët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG