Mosemërimi i drejtorit të ri të Agjencisë Teknike dhe Operative (ATO) ka nxitur polemika në Maqedoninë e Veriut, nëse kjo agjenci është vërtet funksionale dhe nëse po e shkel masën e vëzhgimit të komunikimeve elektronike mes qytetarëve.
ATO është pa udhëheqës pothuajse tash e një muaj, pasi drejtorit të deritanishëm Zoran Angellkovskit i mbaroi mandati pesëvjeçar dhe i fundit më 7 shtator.
Agjencia Teknike Operative është nja institucionet kyçe në zinxhirin e sigurisë dhe antikrimit në Maqedoninë e Veriut.
Konkursi për drejtorin e ri u hap vetëm dy ditë para se Angellovskit t’i mbaronte mandati.
Por, megjithëse janë paraqitur 21 kandidatë, emërimi i drejtorit të ri mbetet sfidë, pasi për të duhet të vendosin dy të tretat e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në një kohë kur dallimet mes opozitës dhe pushteti janë tejet të mëdha për shumë çështje.
Ish-zyrtari i lartë i Dikasterit të Policisë, Qebir Avziu, tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk mendoj se në mungesë të drejtorit do të ketë keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana punonjësve të këtij institucioni”.
Gjykata Penale e Shkupit i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka telashe në zhvillimin e bashkëpunimit me ATO-n “në lidhje me zbatimin e masave të posaçme.”
“Urdhëresat për zbatimin e masave të posaçme hetuese i drejtohen institucionit dhe jo drejtorit të Agjencisë Teknike Operative”, tha ajo.
Deri në publikimin e këtij teksti, Agjencia Teknike dhe Operative nuk kenë dhëne hollësi sesi zhvillohet procedura e zbatimit të masave të posaçme hetuese të vëzhgimit të komunikimit dhe me çfarë pasojash përballet ky institucion gjatë kohës së mungesës së udhëheqësit të vet.
Për opozitën, ATO është trup “jofunksional”
Partia maqedonas në opozitë VMRO DPMNE thotë se Agjencia Teknike dhe Operative mund të funksionojë pa drejtor “aq sa mund të funksionojë një trup pa kokë”.
Igor Janishev, deputet i VMRO DPMNE-së, tha se vendimet e ATO-s nuk janë “as legale e as legjitime pasi asnjë person në këtë institucion nuk ka marrë përsipër kompetenca të deleguara”.
“Tani kemi një institucion jofunksional dhe me këtë mbetet dhe jofunksional edhe sistemi për vëzhgimin e komunikimeve”, tha Janushev për Radion Evropa e Lirë, i cili është kryetar i komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të masave për vëzhgimin e komunikimeve.
ATO u themelua në fund të vitit 2018 me qëllim për ta parandaluar abuzimin e masës së vëzhgimit të komunikimeve elektronike të qytetarëve nga autoritetet e autorizuara për vëzhgimin e komunikimeve apo operatorëve.
Ajo ka rol të pavarur shtetëror për ofrimin e lidhjeve teknike mes operatorëve dhe autoriteteve të autorizuara për vëzhgimin e komunikimeve, në rastet kur vëzhgimi i komunikimeve aprovohet nga urdhri i gjykatës për nevojën për hetime penale, apo për mbrojtjen e interesave të sigurisë dhe mbrojtjes shtetërore.