Ndërlidhjet

Mospajtimet rrezikojnë që Kosova të shkojë në dialog pa platformë


Ilustrim
Ilustrim

Mospajtimet dhe përplasjet e shpeshta ndërmjet partive politike, po e bllokojnë miratimin eventual të një platforme të Kosovës për fazën finale të bisedimeve me Serbinë.

Mospajtimet fillojnë që nga kundërshtimi i opozitës për rolin prijës të presidentit Hashim Thaçi në procesin e dialogut, e deri te mënyra e përfaqësimit të palës kosovare në tavolinën e bisedimeve.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partitë në pushtet preferojnë që në fazën finale ta kenë me vete edhe opozitën në kuadër të një ekipi uniteti. Kurse opozita, deri më tani, kryesisht ka kërkuar që institucionet, të cilat kanë marrë përsipër udhëheqjen e vendit, të udhëheqin edhe këtë fazë të dialogut, por duke i sjellë të gjitha vendimet dhe marrëveshjet për debat dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare, ka kritikuar platformën e Qeverisë për bisedimet në Bruksel.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo parti është gati të përfshihet në dialogun me Serbinë, por vetëm nëse do të ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Kryetari i PDK-së publikisht ka deklaruar se është i gatshëm që udhëheqjen e procesit të dialogut t’ia dorëzojë LDK-së. Në fakt, ky është pranim i dështimit të këtij koalicioni gjoja për vendime të mëdha. Ndryshe nuk mund të kuptohet kur pozita në fakt ia dorëzon agjendën shtetërore opozitës. Ne jemi të gatshëm t’i marrim përsipër këto procese, por vetëm pasi ta marrim mandatin nga qytetarët vendit përmes votës së lirë”, ka thënë Hoti.

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Në anën tjetër, për kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, konsensusi politik është shumë i nevojshëm për të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit.

Ky konsensus, sipas kreut të Kuvendit, është i nevojshëm sa u përket çështjeve të hapura me Serbinë.

“Në të njëjtën kohë duhet konsensusi për çështjet e hapura, të cilat i kemi veçanërisht me Serbinë. Ne nuk mund të nënvlerësojmë faktin se kemi disa probleme, të cilat po e pengojnë rritjen e Kosovës edhe po na dëmtojnë në zhvillim ekonomik. Ne duhet ta përfundojmë përfundimisht çështjen e dialogut me Serbinë edhe s’ka alternativë tjetër, njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia”, ka thënë Veseli.

Derisa në Prishtinë, por edhe në Beograd, ka debate të brendshme rreth fazës së ardhshme të dialogut, Brukseli ka konfirmuar se ende nuk e ka caktuar datën e vazhdimit të dialogut.

Ndërkohë që pritet ftesa nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i këtyre bisedimeve, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë ditë më parë në Kuvend se çështja e energjisë do të duhej të ishte tema e parë në agjendën e bisedimeve.

“Nuk ka logjikë të trajtohen temat tjera e jo tema e energjisë”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Platforma e bisedimeve me Serbinë, ka qenë vazhdimisht edhe tema kryesore në tryezat e organizuara nga partitë politike në vend.

Edhe në këto diskutime, është përmendur që Kosova ka nevojë që në fazën finale të dialogut me Serbinë, të përfshihet edhe opozita, duke krijuar kështu një platforme dhe ekip uniteti.

Por, deri më tani nuk është arritur një pajtim ndërmjet partive politike.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG