Ndërlidhjet

Moska mbulohet nga bora, ndërsa temperaturat në Siberi bien në minus 56 gradë


Një grua ec pranë tezgave të tregut në Sheshin e Kuq të mbuluar me borë në Moskë, 3 dhjetor 2023.
Një grua ec pranë tezgave të tregut në Sheshin e Kuq të mbuluar me borë në Moskë, 3 dhjetor 2023.

Temperaturat në pjesë të Siberisë kanë rënë në minues 56 gradë të hënën, ndërsa kryeqyteti i Rusisë, Moska, është përballur me reshje rekorde të borës dhe pengesa në fluturime.

Në Republikën Saka, e cila ndodhet në verilindje të Siberisë dhe pjesë e së cilës është Jakutsku, njëri prej qyteteve më të ftohta në botë, temperaturat ranë në minus 50 gradë, sipas Institutit Hidrometeorologjik të këtij vendi.

Në Oimiakon, një zonë në Saka, temperaturat ranë në minus 56 gradë të hënën mbrëma.

Meteorologët rusë thanë se do të jetë sikur të ishte më shumë se minus 60 gradë në Oimiakon, duke marrë parasysh erën dhe lagështinë e ajrit dhe se temperaturat do të bien edhe më shumë gjatë natës.

“Në pjesën evropiane të Rusisë, në territoret siberiane dhe urale, acari pritet të ashpërsohet në javët e para të dhjetorit”, tha Instituti Kombëtar Hidrometeorologjik i Rusisë.

Pothuajse e gjithë Saka ndodhet nën sipërfaqen e ngrirë të tokës. Në kryeqytetin e rajonit, Jakutsk, i cili shtrihet rreth 5.000 kilometra në lindje të Moskës, temperaturat ishin rreth minus 44 deri në minus 47 gradë.

Temperaturat prej minus 50 gradëve janë bërë më pak se të zakonshme në vitet e fundit, për shkak të ndryshimit klimatik.

Kryeqyteti rus u përball me një ndër reshjet më të mëdha të borës deri më tani më 3 dhjetor. Më shumë se 35 centimetra borë ranë vetëm brenda një dite.

Fluturimet u shtynë në disa prej aeroporteve të Moskës, si pasojë.

Temperaturat në Moskë dhe në rajonet rreth kryeqytetit parashihen të bien në rreth minus 20 gradë në fund të kësaj jave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG