Ndërlidhjet

Morgu i spitalit të Gazës stërmbushet teksa Izraeli intensifikon sulmet


Kufomat e anëtarëve të familjes Abu Rayash, të vrarë nga bombardimet izraelite, duke u ngakuar në një kamion, në një spital në Rripin e Gazës. 12 tetor 2023.
Kufomat e anëtarëve të familjes Abu Rayash, të vrarë nga bombardimet izraelite, duke u ngakuar në një kamion, në një spital në Rripin e Gazës. 12 tetor 2023.

AP

Morgu i spitalit më të madh të Gazës është mbushur tej mase të enjten, sepse trupat e të vrarëve vinin më shpejt seç ata mund t’i pranonin në ditën e gjashtë të bombardimeve të pareshtura të Izraelit në territorin me 2.3 milionë njerëz.

Për shkak se çdo ditë vriten dhjetëra palestinezë nga sulmet e rënda izraelite, pas një sulmi të papritur dhe paparë nga Hamasi ndaj Izraelit, mjekët në enklavën e rrethuar thanë se kanë mbetur pa hapësirë se ku t’i vendosin trupave e viktimave të tërhequra nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite.

Morgu në spitalin Shifa në Qytetin Gaza mund t’i pranojë vetëm 30 trupa përnjëherë dhe punonjësit detyroheshin t’i palosnin trupat jashtë ftohësit dhe t’i vendosnin dhjetëra të tjerë, një nga një, në parkingun e spitalit. Disa prej tyre i vendosën në tenda, ndërsa disa të tjerë i shpërndanë nëpër beton nën rrezet e qiellit.

“Trupat po vijnë pa mbarim dhe tani ky vend është bërë varrezë”, tha Abu Elias Shobaki, infermier në Shifa, duke iu referuar parkingut të spitalit.

“Jam i dërrmuar emocionalisht dhe fizikisht. Thjesht, më duhet të mos mendoj më se sa shumë do të përkeqësohen gjërat”, shtoi ai.

Gati një javë pasi militantët e Hamasit e thyen dhe e kaluan barrierën e fuqishme kufitare për t’u futur dhe për t’i vrarë mbi 1.300 izraelitë, Izraeli është duke u përgatitur për ta pushtuar Gazën nga toka për herë të parë pas gati një dekade.

Një ofensivë e mundshme tokësore me gjasë do ta rriste numrin e palestinezëve të vrarë, i cili e ka tejkaluar tashmë numrin e të vrarëve në katër luftërat e kaluara të përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit.

Numri i madh i trupave të vdekur e ka mbingarkuar sistemin edhe ashtu të kufizuar në territorin i cili përballet me bllokadë tash e një kohë të gjatë. Spitalet e Gazës furnizohen shumë dobët në kohë normale, por tani Izraeli e ka ndaluar furnizimin me ujë nga kompania e vet kombëtare e ujit, e ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ushqim dhe karburant.

“Ne jemi në gjendje kritike. Ambulancat nuk mund t’i arrijnë të plagosurit, të plagosurit nuk mund të sillen në repartin e kujdesit intensive. Të vdekurit nuk po mund t’i dërgojmë në morg”, tha Ashra fal-Qidra, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Bombardimet izraelite në Gaza i kanë rrafshuar shumë lagje, duke i vrarë më shumë se 1.500 njerëz, më shumë se 60 për qind e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Rreth 400.000 palestinezë janë zhvendosur brenda Gazës, që është 15% e popullsisë së vet.

Të enjten, Izraeli e bombardoi kampin e refugjatëve Jabaliya, duke i vrarë dhjetëra njerëz – përfshirë 45 anëtarë të së njëjtës familje të gjerë, sipas Ministrisë së Brendshme të Gazës.

Ushtria e Izraelit thotë se po e bombardon infrastrukturën e militantëve të Hamasit dhe se synon ta shmangë vrasjen e civilëve – kjo mohohet nga palestinezët.

Të vdekurit, dhe më shumë se 6.000 të plagosurit, janë të papërballueshëm për objektet spitalore të Gazës në një kohë kur furnizimi po shterohet.

“Nuk është e mundur, në asnjë rrethanë, të vazhdohet kjo punë”, tha Mohammad Abu Selim, drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Shifa.

“Pacientët i kemi në rrugë tani. Të plagosurit në rrugë. Nuk mund të gjejmë shtretër për ta”, shtoi ai.

Disa thonë se nuk ia vlen të provohet arritje tek te plagosurit rëndë, duke i parë kushtet spitalore, klinikat me mungesë stafi dhe rrugët e dëmtuara nga bombardimet izraelite, nëpër të cilat ambulancave u duhet me orë të tëra kohë për të arritur tek ata.

“Ne e dimë se, nëse një rast është kritik, nuk shpëton”, tha Khalil Abu Yehiya, një mësues 28-vjeçar.

Kur Izraeli i shtoi bombardimet ndaj kampit të refugjatëve Shati në veri të Qytetit Gaza përgjatë bregdetit mesdhetar, një valë e re të plagosurish e vërshoi kompleksin spitalor – fëmijë me mavijosje dhe të mbështjellë me fasha, burra me plagë të rënda, vajza të reja me fytyra të përgjakura.

Për shkak se reparti i kujdesit intensiv ishte i mbushur, disa prej tyre u shtrinë në korridoret e spitalit, disa u mbështetën për mureve për ta liruar rrugën për stafin dhe barelat.

“Kam qenë në shumë vende dhe kam parë tmerrin dhe bombardimet. Por, jo këtë shkallë të çmendurisë”, tha fotoreporteri vendor, Attia Darwish, 36 vjeç, teksa i shikonte të plagosurit duke e mbushur spitalin.

Në mesin e atyre që u vranë gjatë bombardimeve në kampin Shati ishte edhe Yasser al-Masri, trupi i pajetë i të cilit erdhi bashkë me trupat e bashkëshortes dhe foshnjës së tij. Trupat e tyre ishin futur në të njëjtën qese.

Miqtë e tij e shpërndanë postimin e tij të fundit në Facebook, që e kishte bërë para se avionët ushtarakë të Izraelit ta vrisnin.

“Kanë mbetur vetëm edhe pak orë para se telefoni im të fiket, sepse jemi pa rrymë. Nuk ka dritë natën, përveç asaj të hënës. Ju lutem më falni. Unë ju fal të gjithë juve”, kishte shkruar ai.

Termocentrali i vetëm i Gazës mbeti pa karburant të mërkurën. Shifa dhe spitalet e tjera po përpiqeshin ta ruanin naftën e mbetur në gjeneratorët e tyre, duke i fikur dritat në të gjitha repartet spitalore, përveç në atë më të nevojshmin – të kujdesit intensiv.

Abu Selima, drejtori i Shifas, tha se karburanti i spitalit do të harxhohet pas tri apo katër ditëve.

Kur të ndodhë kjo “fatkeqësia do të godasë brenda pesë minutave”, tha Naser Bolbol, shef i repartit neonatal, duke iu referuar pajisjeve të oksigjenit që po i mbajnë në jetë foshnjat.

Autoritetet thanë se nuk do të ketë rrymë as për morgun e të vdekurve.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG