Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore, Inspektorati i Tregut... Të gjitha përmenden si përgjegjëse të mundshme për monitorimin e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si valutë të vetme për pagesë.
Vetë rregullorja nuk e specifikon, por thotë se “autoritete kompetente janë autoritetet vendore të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja, tha se “zbatimin e bëjnë institucionet e drejtësisë, nuk e bën BQK-ja” dhe përmendi Doganën e Kosovës në mënyrë të veçantë.
REL-i dërgoi pyetje edhe në institucionin e BQK-së për më shumë sqarime, por nuk mori përgjigje.
Me rregulloren, që u publikua më 17 janar dhe pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, komunitetit serb në Kosovë do t’i ndalohet përdorimi i dinarit të Serbisë për pagesa me para të gatshme.
Nga paslufta, më 1999, banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe, të inkurajuar nga Beogradi, e kanë shfrytëzuar dinarin për gjithçka - nga rrogat dhe pensionet deri te pagesat në dyqane dhe restorante.
Rregullorja e re mundëson që dinarët të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.
Një shkurti konfirmohet si datë e hyrjes në fuqi të rregullores
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmoi të mërkurën se rregullorja e BQK-së do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, përkundër thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për ta pezulluar zbatimin e saj.
Bislimi tha se “brenga” e partnerëve ndërkombëtarë për qytetarët që pranojnë transfere nga Republika e Serbisë, do të adresohet me një periudhë tranzicioni të lehtësuar.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që kjo periudhë të sigurojë që qytetarët “të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa dëmtime”.
“Mekanizmat e Qeverisë që kanë për obligim zbatimin në praktikë të kësaj rregulloreje, do të fokusohen plotësisht që në këtë fazë transitore, të investojnë më shumë në informim dhe edukim të bizneseve dhe qytetarëve, e jo në masa ndëshkuese nga dita e nesërme”, tha Bislimi.
“Nuk ka pasur përgatitje”
Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, i cili ka qenë edhe anëtar i Bordit të BQK-së, tha se, krahas rregullores, BQK-ja është dashur të nxjerrë edhe një udhëzim administrativ, i cili do të sqaronte se cilët mekanizma duhet ta zbatojnë rregulloren.
"...është dashur së paku një vit që shitësit dhe konsumatorët të përgatiten për ndryshime”.
“Kjo do të thotë se nuk janë bërë përgatitje paraprake, adekuate... që të përgatiten edhe bankat, por edhe qytetarët serbë, të cilët marrin ndihma dhe paga nga Serbia”, tha Bektashi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, “është dashur së paku një vit që shitësit dhe konsumatorët të përgatiten për ndryshime”.
Ai shtoi se, në bazë të praktikës së kontrollit të tregut, zbatimin e rregullores duhet ta monitorojnë: Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore dhe Inspektorati i Tregut.
“Jemi gati”
Radio Evropa e Lirë iu drejtua të tria institucioneve të lartpërmendura për komente dhe, deri më tash, mori përgjigje nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati i Tregut.
Për Doganën, zbatimi në praktikë i rregullores së BQK-së “nuk paraqet ndonjë
ndryshim të theksuar nga administrimi i tanishëm”.
Ky institucion, pa ofruar shumë detaje, tha se “zbaton një gamë të madhe të regjimeve kufizuese në emër të institucioneve tjera” dhe se “ka ndërtuar një mori procesesh për këtë qëllim”.
Zëvendësi i kryeinspektorit të Tregut, Naim Hajra, tha se ky organ, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, është i gatshëm me të gjitha kapacitetet që “të reagojë menjëherë” pas hyrjes në fuqi të rregullores.
Newsletter
Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Për t’i pranuar të parët materialet në emailin tuaj, regjistrohuni këtu.
Ai theksoi se, nga 1 shkurti, të gjitha çmimet e produkteve në vitrinat e dyqaneve duhet të jenë të ekspozuara me valutën euro dhe, pa precizuar, tha se Inspektorati i Tregut ka numër të mjaftueshëm inspektorësh për ta inspektuar gjendjen.
Për këtë qëllim tha se ka shërbyer edhe një vizitë e ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - më 25 janar.
“Jemi pajtuar për të ndërtuar kapacitete të Inspektoratit të Tregut, përmes të cilave synojmë ta zbatojmë këtë udhëzim [të BQK-së]”, tha Hajra.
Ai po ashtu shpjegoi se, në rast se inspektorët hasin në çmime të vendosura në dinarë, bizneset mund të ndëshkohen në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Ky ligj parasheh gjoba nga 1.000 deri në 20.000 euro, varësisht nga shkelja ligjore.
Polemikat për dinarin
Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës përcakton “një monedhë të vetme” si mjet të vlefshëm pagese në Kosovë.
Por, për vite me radhë, dinarët arritën në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës. Ato para, pastaj, i transportonte kompania për transport të parave “Henderson”.
I pyetur nga REL-i se përse është dashur të nxirret tani një rregullore për zbatimin e ligjeve që ekzistojnë, kryetari i Bordit të BQK-së, Nurboja, tha:
“Nëse nuk është fuqizuar ligji, atëherë nuk e fuqizon as rregullorja. Por, kjo rregullore vetëm i përcakton instrumentet dhe aktorët përkatës që kanë përgjegjësi për zbatimin e ligjit. Deri dje ka qenë ligji që e ka specifikuar, por aktorë përkatës nuk ka pasur. Tash, pasi ka qenë në domenin tonë dhe një ligj - Ligji i BQK-së - e përcakton se institucionet tjera duhet ta ndihmojnë BQK-në në zbatimin e rregulloreve dhe ligjeve, atëherë ne veç i kemi precizuar gjërat. Nuk ka diçka shtesë”.
Bashkësia ndërkombëtare kërkoi nga Kosova që ta pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke shprehur shqetësim për ndikimin e saj “sidomos në shkolla dhe spitale”, që paguhen me dinarë, e për të cilat, siç tha, “nuk duket i zbatueshëm asnjë proces alternativ, për momentin”.
Sipas grupit QUINT, që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
BE-ja, në anën tjetër, kërkoi marrëveshje në dialog për vendimin e BQK-së.