Ndërlidhjet

Moldavia shpreh dyshime lidhur me pretendimet për komplot në Transnistri


Kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean. Fotografi nga arkivi.

Moldavia ka hedhur dyshime lidhur me pretendimin e bërë nga autoritetet de facto të Transnistrisë se kanë thënë se kanë penguar një komplot “terrorist" të orkestruar nga Ukraina për të vrarë liderët separatistë të këtij rajoni. Kievi e ka cilësuar këtë ngjarje si “provokim të Kremlinit”.

Ministria e Sigurisë së shtetit të vetëshpallur të Transnistrisë tha përmes një deklarate më 9 mars se kishte arrestuar dhjetëra të dyshuar dhe ka hapur hetim lidhur me “organizimin e një sulmi terrorist” dhe “komplotit për vrasjen e dy apo më shumë personave për shkak të pozicioneve të tyre zyrtare”.

Kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean, u tha gazetarëve se Qeveria e tij nuk ka mundur ta konfirmojë këtë informacion.

“Ne nuk kemi konfirmim të këtyre gjërave... Moldavia është në një situatë të qëndrueshme dhe nuk ka rrezik për ndonjë përshkallëzim”, tha ai.

Alexandru Flenchea, bashkëpresidenti moldav i Komisionit për Kontroll të Përbashkët – një trup moldav-ukrainas-rus që ka për detyrë mbajtjen e paqes në Transnistri – i tha Radios Evropa e Lirë se pretendimet ishin “një bombë informative”. Ai tha se mënyra e vetme për të parandaluar një situatë të tillë është përmes “kontaktit të ngushtë midis Kishinjevit dhe Tiraspolit, sa i përket situatës së sigurisë”.

Në një postim në rrjetet sociale, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës tha se pretendimet “duhet të konsiderohen si provokim i orkestruar nga Kremlini”.

Rusia në mënyrë të rreme ka pretenduar se Ukraina po planifikon që ta pushtojë Transnistrinë, duke rritur dyshimet se Moska po shikon që të krijojë pretekst për të aneksuar këtë rajon separatist, ashtu siç bëri me Krimenë në Ukrainë më 2014. Moska ka thënë se çdo sulm në Tranistri do ta konsideronte si sulm ndaj Rusisë.

Rusia është e vetmja që mbështet këtë rajon dhe atje ka bazë të forcave të armatosura me mbi 1.000 trupa.

Disa analistë kanë thënë se nëse lufta e Rusisë kundër Ukrainës zgjerohet, Moldavia ka të ngjarë që të jetë shënjestra e radhës e Moskës.

Presidentja moldave, Maia Sandu, ka paralajmëruar se Rusia po planifikon që ta destabilizojë shtetin e saj përmes veprimeve brenda Moldavisë, për të justifikuar pushtimin rus nga Transniestri, gjë që mund ta shndërronte Moldavinë si vend prej ku do të niseshin sulme ndaj Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG