Ndërlidhjet

Mjekët protestojnë pas sulmeve fizike nga pacientët


Protesta e mjekëve në Maqedoninë e Veriut. Një mjek mban në duar një letër ku shkruan "Mos na rrihni".
Protesta e mjekëve në Maqedoninë e Veriut. Një mjek mban në duar një letër ku shkruan "Mos na rrihni".

Mantelbardhët sot kanë protestuar në Qendrën Klinike të Shkupit nën moton “Stop dhunës ndaj punonjësve të shëndetit”.

Protesta e sotme e organizuar Shoqata e specialistëve dhe mjekëve të rinj vjen pas një varg sulmesh që u janë bërë punonjësve në spitalet e shtetit në më shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, si Shkup, Tetovë etj.

Nenad Llazarov, kryetar i Shoqatës së mjekëve të rinj dhe specializantë ka theksuar se mjekët në Maqedoninë e Veriut janë më pak të paguar se kolegët e tyre në të gjitha vendet e Evropës.

“Jemi mbledhur për të thënë mjaft. Kjo do të jetë revolta jonë e fundit, nuk duhet të lejojmë më që punonjësit e shëndetësisë të sulmohen. Për shumë vite, tendencat dhe fushatat negative kanë ndikuar në profesionistët e mjekësisë dhe qëllimi është që të vihen në pah vendimet e këqija të menaxherëve të sistemit. Është koha për të ndërmarrë veprime për të përmirësuar kushtet për punëtorët e shëndetit dhe pacientët”, ka thënë për mediat Llazarov.

Mjekët sot kanë theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në realizmin e kërkesave të tyre, duke vënë theksin në miratimin e një ligji për veprimtarinë e mjekëve, që do të hartohet në bashkëpunim me të gjitha shoqatat dhe institucionet e sistemit të shëndetësisë.

Mjeku Ilir Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se mjekët duhet të kyçen drejtpërdrejt në çdo ndryshim ligjor që do të bëhet, sa i përket statusit të mjekëve dhe personelit shëndetësor.

Hasani thekson se duhet të pësojë ndryshime Ligji që rregullon statusin e mjekëve dhe personelit mjekësore, duke pasur në fokus jo vetëm kushtet teknike, por edhe profesionalizmin e stafit mjekësor.

“Çdo hap që do të ndërmerret në ndryshimin e legjislacionit që rregullon sistemin e shëndetësisë, duhet të bëhet pas një analize gjithëpërfshirëse që do të dalë nga stafi mjekësor. Përmirësimi i kushteve të punës për mjekët dhe stafin mjekësor dhe përmirësimi i kushteve për ngritjen profesionale të kuadrit mjekësor, paraqesin bazën apo shtyllat ku duhetmbështetur si pika strategjike me të gjitha aktivitetet tona”, thotë Hasani.

Në mbështesje të mjekëve sot ka dalë edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, duke paralajmëruar fillimin e fushatë për të sensibilizuar opinionin se me dhunë nuk zgjidhen problemet. Ai ka thënë se çdo lloj dhune paraqet vepër penale dhe ata që ushtrojnë dhunë ndaj mjekëve, do të përballen me dënime të rënda.

“Kemi ndërmarrë masa konkrete në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të treguar se të gjitha këto sulme janë të ndëshkueshme, se ka gjoba me para, por edhe burg. Një pjesë e sulmuesve, në rastet e fundit të dhunës ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor, përfunduan në paraburgim”, ka deklauar ministri Filipçe.

Nga ana tjetër, qytetarët thonë zvogëlimi i kuadrit mjekësor, i cili gjithnjë e më shumë është duke u larguar në vendet e Evropës Perëndimore, ka ulur edhe shërbimet mjekësore. Për një kontroll apo diagnostikim, sipas qytetarëve, duhet pritur shumë gjatë.

“Ne si pacientë nuk jemi të kënaqur nga shërbimi i kuadrit mjekësor. Ndoshta ata janë të mbingarkuar me numër pacientësh dhe u humb durimi, por ne nuk kemi faj. Është e padrejtë që si pacientë nuk arrijmë të marrim shërbimin e duhur, dhe kjo na acaron”, thotë Irfete Shabani.

“Ka pacientë të cilët janë nervozë dhe sillen keq, por ka edhe mjekë të cilët nuk sillen mirë me pacientët e tyre. Pra të dyja palët kanë faj. Më ka ndodhur të shkoj te mjeku kujdestar dhe atë nuk e gjen në vendin e punës, ose është duke fjetur ose ka dalë diku. Më së miri është të vendosen kamera për të ndjekur punën e mjekëve dhe jo të harxhohen para për sigurimin e personelit mjekësor”, thotë Gjorgji Gaçov.

Gjatë protestës, mjekët kanë kërkuar që me ligj të dënohet sulmi ndaj mjekëve, ashtu siç dënohet sulmi ndaj personave zyrtarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG