Ndërlidhjet

Mjekët pa mbrojtje ligjore në vendin e punës


Ilustrim
Ilustrim

Të drejtat e punëtorëve shëndetësorë në Kosovë nuk mbrohen me ndonjë ligj të veçantë. Vakuumi ligjor, besohet se ka ndikuar në shtimin e rasteve të sulmeve apo edhe kërcënimeve e fyerjeve që u bëjnë atyre në vendin e punës, qoftë pacientët apo qytetarët që vizitojnë të afërmit e tyre nëpër klinika. Një gjendje si të tillë e përshkruan Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

Syla thotë se në mungesë të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve me ligj, ka bërë që imazhi i punëtorëve shëndetësorë dhe ndikimi i tyre në sistemin shëndetësorë, të jetë jo i mirë.

Ne kemi ardhur deri te një situatë që të kemi një mosbesim të popullatës ndaj punëtorëve shëndetësorë dhe kjo më së paku është për fajin e tyre. Ne po tentojmë që të punojmë, që këtë situatë ta ndërrojmë dhe të kthehet besimi te mjekët, e që janë ata që punojnë edhe me improvizime për shkak të kushteve që janë në sektorin publik shëndetësor”, thotë Syla.

Përderisa nuk ka një ligj që mbron mjekët në punë, pacientët gëzojnë të drejtat e tyre që u garantohen me ligj, thotë Syla.

Buxheti është i vogël, furnizimi është i mangët që të mund të jepet një shërbim i duhur. Mirëqenia e punëtorëve shëndetësorë është nën nivel dhe shumë infrastruktura tjera ligjore mungojnë”, thekson Syla.

Mjeku Bajram Kryeziu duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se është vetëm Sindikata e Shëndetësisë ajo që u del në ndihmë punëtorëve shëndetësorë në rast nevoje, për shkak se nuk e kanë të rregulluar me ligj mbrojtjen e tyre.

Pacientët janë të mbrojtur me ligj, derisa punëtorët shëndetësorë nuk kanë një organizim të tillë. Është sindikata ajo që lufton për të drejtat e punëtorëve shëndetësorë. Punëtorët shëndetësorë sulmohen edhe në vende pune, kërcënohen, e edhe rrihen. Ka raste kur mjeku fiton nëse dërgon lëndë në gjykatë, por në mënyrë individuale, por që kanë kosto dhe humbet shumë kohë”, thotë Kryeziu.

Ne jemi në kontakt me zyrtarë shtetërorë dhe kërkojmë që punëtorët shëndetësorë ta kanë një qasje, që të drejtat e tyre të mbrohen me ligj”, thekson Kryeziu.

Edhe zëvendësministri i shëndetësisë, Ali Berisha, thotë se besimi tek mjekët është lëkundur shumë, duke fajësuar të gjitha hallkat e sistemit, përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë, institucionin që përfaqëson.

Të pafajshëm në këtë mes janë vetëm pacientët, derisa gjithë të tjerët kanë hise në humbjen e besimit që ka ndodhë në sistemin shëndetësor. Ka ndodhur humbje e besimit tek sistemi shëndetësor si pasojë e veprimeve individuale të ndonjërës prej hallkave të sistemit, por pasojë e lëshimeve të bëra e pothuajse nga secila hallkë, duke filluar nga institucioni që unë sot përfaqësoj, Ministria e Shëndetësisë”, thotë Berisha.

Sidoqoftë në Kosovë, në bazë të disa hulumtimeve nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, thuhet se pacientët kanë shumë pak njohuri për të drejtat e tyre që kanë në institucione publike shëndetësore, andaj edhe brenda institucioneve jo rrallë shkelen edhe të drejtat e pacientëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG