Ndërlidhjet

Mjekët pa Kufij ndërpresin operacionet në Rusi


Logoja e organizatës Mjekët pa Kufij
Logoja e organizatës Mjekët pa Kufij

Organizata e ndihmës Mjekët pa Kufij njoftoi se është detyruar t’i ndërpresë operacionet e saj në Rusi.

“Me keqardhje duhet t’i ndalojmë aktivitetet tona në Rusi”, tha organizata me bazë në Zvicër.

“Puna jonë udhëhiqet nga parimet e pavarësisë, paanshmërisë dhe neutralitetit, si dhe etikës mjekësore. Ne ofrojmë ndihmë në bazë të nevojave”, shtoi ajo.

Mjekët pa Kufij kanë qenë në Rusi që nga viti 1992.

Por, ata thanë se janë njoftuar nga Ministria e Drejtësisë e Rusisë në gusht se zyra e tyre është hequr nga regjistri i organizatave joqeveritare.

Gjatë veprimtarisë në këtë vend, ata kanë qenë aktivë në rajonet e Moskës, Shën Petersburgut, Çeçenisë, Ingushetisë, Dagestanit e të tjera.

Ata janë përqendruar në trajtimin dhe parandalimin e tuberkulozit, HIV-it dhe sëmundjeve të tjera infektive, si dhe në punën me grupet e rrezikuara, përfshirë imigrantët.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Mjekët pa Kufij kanë ofruar ndihmë mjekësore dhe humanitare për refugjatët nga Ukraina, si dhe për rusët që kanë lëvizur nga zonat kufitare në rajone më të sigurta të Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG