Ndërlidhjet

Mjekët pa Kufij kundërshtojnë Izraelin për sulmin ndaj punëtorëve të ndihmës


Makina e goditur nga një sulm ajror e Kuzhinës Qendrore Botërore. Gazë, 2 prill 2024.
Makina e goditur nga një sulm ajror e Kuzhinës Qendrore Botërore. Gazë, 2 prill 2024.

Organizata bamirëse shëndetësore, Mjekët pa Kufij, kundërshtoi qëndrimin e Izraelit se sulmi ajror që vrau shtatë punëtorë të ndihmës ishte “një incident fatkeq”, duke thënë se personeli humanitar është sulmuar edhe më herët.

Shtatë punëtorë nga Kuzhina Qendrore Botërore, që ofron ndihma ushqimore në zonat e krizës dhe konfliktit, u vranë kur autokolona e tyre u godit të hënën mbrëma pasi punëtorët kishin zbarkuar 100 tonë ushqime që ishin sjellë në enklavën palestineze përmes detit.

“Ne nuk e pranojmë narrativin për incidente fatkeqe”, tha Christopher Lockyear, sekretar i përgjithshëm i Mjekëve pa Kufij, gjatë një konference në Gjenevë.

“Ne nuk e pranojmë një narrativ të tillë sepse ajo që i ndodhi autokolonës së Kuzhinës Qendrore Botërore, të Mjekëve pa Kufij dhe strehimoreve është pjesë e sulmeve të qëllimshme ndaj punëtorëve humanitarë, atyre shëndetësorë, gazetarëve, personelit të Kombeve të Bashkuara, shkollave dhe shtëpive”.

Ai shtoi se këtë e kanë thënë për javë të tëra se sulmet e tilla janë të qëllimshme dhe të pamatura.

Lockyear tha se Mjekët pa Kufij vazhdojnë të kenë prani në Gazë edhe pas këtij incidenti, por tha se ekipi përballet me rrezik të përditshëm.

Ai tha se vrasje e punëtorëve të ndihmës tregojnë se masat për të lehtësuar konfliktin ishin të kota “në një luftë që nuk ka rregulla”.

Lockyear i bëri thirrje Izraelit që të hetojë sulmin ndaj një autokolone të organizatës që udhëheq, që ndodhi në nëntor, dhe të hetojë edhe incidentin ndaj Mjekëve pa Kufij në shkurt në strehimoren Al-Mavasi.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Mbi 100 pengje u liruan vitin e kaluar në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Izraeli u përgjigj me një prej sulmeve më vdekjeprurëse dhe shkatërruese ushtarake në Gazë, duke detyruar 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Si pasojë e sulmeve ajrore dhe tokësore, në Gazë janë vrarë afër 33.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, or ka thënë se dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG