Ndërlidhjet

Mitrovica e Veriut anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës


Mitrovica e Veriut.
Mitrovica e Veriut.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka bërë të ditur se Mitrovica e Veriut është anëtarësuar në këtë asociacion gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të këtij entiteti më 22 gusht.

“Votimi për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në AKK ka kaluar me votat e të gjithë delegatëve të Kuvendit dhe ka ardhur pas kërkesës së Komunës së Veriut e cila marrë vendim në Kuvendin e Komunës për t'u anëtarësuar në Asociacion”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Pas anëtarësimit, sipas njoftimit të AKK-së, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u shpreh i lumtur me votimin unanim dhe tha se do të japë kontribut për adresimin e sfidave të qeverisjes lokale.

Çka është Asociacioni i komunave të Kosovës?

Asociacioni i komunave të Kosovës funksionon në Kosovë si organizatë joprofitabile e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të anëtarëve të saj, gjegjësisht komunave të Kosovës. Pjesë e këtij Asociacioni janë 34 komuna të Kosovës. Kuvendi ka 126 anëtarë dhe përbëhet nga të gjithë kryetarët e komunave dhe nga një këshilltar i zgjedhur për secilin nga dhjetë këshilltarët komunalë dhe përfaqësues nga komunitetet jo-shumicë në kuvendet e komunave. Misioni i këtij Asociacionit është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunat dhe përmes tyre të arrihet një performancë e kualitetit të lartë në shërbimin e nevojave për anëtarët e saj.

Pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – në zgjedhjet e bojkotuara nga qytetarët serbë, Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi kishin kërkuar gjithashtu nga institucionet kosovare që ndërtesat publike të këtyre komunave të kyçen në sistemin energjetik të Kosovës dhe të paguajnë për energjinë elektrike të komunave që udhëheqin.

Mitrovica e Veriut, së bashku me tri komunat e tjera në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që nga përfundimi i luftës më 1999 nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar.

Faturat e energjisë së shpenzuar në veri, fillimisht janë paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Megjithatë, në këto dy komuna dhe në dy të tjerat në veri të Kosovës pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme, të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar gati tre muaj më parë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG