Ndërlidhjet

Lajçak viziton Serbinë më 10 shtator


Emisari evropian, Mirosllav Lajçak, gjatë një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 14 nëntor 2023.
Emisari evropian, Mirosllav Lajçak, gjatë një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 14 nëntor 2023.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 10 shtator. Lajçak do të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi Presidenca serbe.

Diplomati sllovak shkroi më 8 shtator në Facebook se do ta vizitojë Beogradin për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për të njëjtin qëllim, javën e kaluar Lajçak vizitoi Kosovën. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, emisari evropian nuk tregoi se kur do të mbahet ky takim.

Gjatë adresimit për media në Prishtinë, pas takimit me Bislimin, Lajçak po ashtu tha se Serbia ka tërhequr letrën që kishte dërguar në Bruksel vitin e kaluar, përmes së cilës kishte shprehur rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj.

Kryeminisitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës tha se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG