I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 20 prill, tha se shtetet e bllokut presin që të dyja palët të zbatojnë të gjitha gjërat për të cilat janë marr vesh gjatë dialogut të zhvilluar në dhjetë vjetët e fundit.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Presidenca serbe, Lajçak tha se do të vazhdojë të angazhohet në vazhdimin e dialogut nën ndërmjetësimin e BE-së, pa vonesa të mëtejme.
Ndërkaq, në një postim në Twitter, Lajçak tha se ka biseduar me Vuçiqin për të gjitha çështjet që aktualisht janë në agjendë, përfshirë edhe për takimin e ri të nivelit të lartë.
Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si bartës së dialogut, për herë të fundit janë takuar në korrik të vitit 2021.
Ndërkaq, në njoftimin e Presidencës serbe, thuhet se Vuçiq gjatë takimit tha se kanë kaluar nëntë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe “ende nuk ka përparim në zbatimin e obligimeve të Prishtinës, para së gjithash për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe. Serbia pret që marrëveshjet e arritura të respektohen dhe zbatohen plotësisht”.
Takimi Vuçiq-Lajçak u mbajt në një ditë para se të skadojë afati kur Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje për çështjen e targave të makinave.
Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës, simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në targa mbulohen me letër ngjitëse, u arrit më 30 shtator të vitit të kaluar, që kishte për qëllim të ulte tensionet në veri të Kosovës.
Më pas u formuan grupet punuese, të cilat deri më 21 prill duhet të paraqesin një zgjidhje të përhershme për targat “bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së”.
Në BE kanë konfirmuar se më 21 prill, në takim do të marrin pjesë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq. Takimi ka për qëllim analizimin e propozimeve të grupeve punuese dhe nëse palët merren vesh, të arrijnë një zgjidhje të pranueshme për Kosovën dhe Serbinë.
Kosova kishte vendosur reciprocitetin për targat serbe më 20 shtator, masë e cila nënkuptonte që makinat me targa të Serbisë t’i zëvendësonin ato me targa provuese, të vlefshme për 60 ditë dhe që kushtonin pesë euro. Me masë të ngjashme, makinat nga Kosova ishin përballur për një dekadë.
Më 18 prill, kryeministri Kurti tha se për Kosovën, parimi i reciprocitetit për zgjidhjen për targat është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm. Por, nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe kanë thënë se fjala “reciprocitet” nuk përmendet askund në marrëveshjen e përkohshme. Ndërkaq, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të arrijnë kompromis për çështjen e targave.